Arlind Nora ka veshur fanellën e shumë skuadrave shqiptare. Kulmin e pati tek Elbasani, ekip me të cilin fitoi titullin kampion në Shqipëri në vitin 2006.
Ish-sulmuesi i njohur gjirokastrit, ka reaguar në lidhje me krijimin e një klubi të ri nga Bashkia e qytetit. Elbasani këtë sezon regjistroi një ecuritë më të dobëta në historinë e klubit dhe ra në Kategorinë e Dytë, pas shumë vitesh.
Gjendja e vështirë sportive natyrisht vjen edhe nga financat dhe mungesa e menaxhimit të klubit. Bashkia ka zbardhur vendimin e hapjes së një klubi të ri, që do të quhet Akademia e Futbollit Elbasani. Në relacionin e saj Bashkia shkruan se ky do të jetë klubi që do përfaqësojë zyrtarisht Elbasanin në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, klubi aktual FK Elbasani, aktualisht ekziston, por do e ketë të pamundur të mbijetojë për shkak se pronarët nuk shfaqen dhe bashkia nuk i mbështet. Ashtu siç do ndodhë me Luftëtarin, AF Elbasani do e nisë aktivitetin e vet në Kategorinë e Tretë.
Zgjidhje me të cilën nuk është aspak dakord Nora, i cili shkruan këto fjalë në rrjetet sociale. “Kjo foto ka shumë kujtime,mund të vija çdo lloj foto të asaj dite, sepse ishte një ditë e veçantë për të gjithë ne që luajtëm me Elbasanin.
Unë s’para merrem me statuse për ekipet apo ato që ndodhin, sepse jam larg futbollit me trup por jo me mendje dhe zemër. Nuk bëra status as kur Luftëtarit i fshinë historinë, sepse ashtu u gatua çorba nga drejtuesit dhe ja lanë topin bashkisë, as kur pashë që Flamurtari ra në të tretën, e plot të tjera, por kur lexoj që Elbasanit (Labinotit) i ngrihet një ekip rival nga bashkia, nuk mund të rrija pa i thënë dy fjalë.
Ai burri që quhet Ben Laze ka hedhur lekët e shtëpisë së vet dhe këtë e dimë ne që jemi paguar nga ai. Dhe nuk e bëri se përfitoi nga futbolli, po sepse është një tifoz i sëmurë me ekipin tij.
Pse nuk i jepni një dorë ta ngrejë prapë aty ku e çoi Elbasanin, po i bëni karshillëk me ak e vk Elbasani? Turp për këdo që jep ide të tilla dhe fshin historinë… Luftetari, tani Elbasani të presim kush e ka radhën“, shkruan Nora. /abcnews.al