Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë do të përfundojë vitin që vjen. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e bëri të ditur ndërsa detajoi para deputeteve në komisionin parlamentar të shëndetësisë buxhetin për vitin që vjen. Një pjesë e fondeve deklaroi ministjra do të shkojnë për rritje pagash dhe çekun e bebeve.
30 mijë familje që do të bëhen me fëmijë vitin që vjen do të përfitojnë çekun e bebes, ndërsa 18 mijë e 416 mjekë dhe infermierë në shërbimin publik rritje pagash me 7%.
Për të parët Ministria e Shëndetësise dhe Mbrotjes Sociale ka planifikuar një buxhet prej 2 miliardë lekësh, ndërsa për të dytët do të shkojnë 1 miliard lekë.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: “Duke filluar nga Janari 2019, garantojmë shpërblimin për çdo të porsalindur, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kjo politikë e re sociale mbështet drejtpërdrejt fëmijët, familjen dhe zhvillimin e shoqërisë”, tha Manastirliu.
Për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale vitin që vjen do të lëvrohen rreth 74 miliardë e 594 milionë lekë. Ministrja Manstriliu deklaroi se buxheti ka pësuar një rritje me 5% krahasuar me vitin 2018. 20% e fondeve do të mbështesin investimet.
“Përfundon spitali i ri i kirurgjisë në QSUT me vlerë investimi 8 milionë euro, ndërsa vijojnë investimet në spitalin e sëmundje të brendshme dhe pediatrine modern. Rehabilitojmë 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca në vitin 2019 me vlerë investimi rreth 300 milionë lekë, në kuadër të programit tonë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore brenda këtij mandati, 80 prej të cilave po përfundojnë këtë vit”.
Me buxhetin e këtij viti minstrja tha se do të sigurohet vijimi i investimeve në spitalet rajonale si reindërtimi i pediatrisë në spitalin e Durrësit, zgjerimi i spitalit të Kukësit apo ndërtimi i urgjencës në spitalin e Elbasanit./abcnews.al