Restaurohet 27 vite pas vjedhjes, ikona e rrallë e David Selenicës

schedule10:07 - 29 Qershor, 2021

schedule 10:07 - 29 Qershor, 2021

Nga Leontina Nika

Restaurohet vepra unike e David Selenicës,  “Vajtimi i mbivarrshëm”. Ikona pjesë e fondit të  Muzeut Historik Kombëtar u vodh në vitin 1994 dhe u rigjet pas 2 vitesh.

Studiuesi i njohur i David Selenicës  Ahilino Palushi, nuk e fshehë gëzimin e rishikimit të veprës, tashmë të restauruar,  në pavionin e ikonave  në Muzeun Historik Kombëtare .

Kjo ikonë është e rrallë, jo vetëm për faktin se nga ky autor  kemi  në ditët tona, vetëm 5 vepra,  por  “Vajtimi i mbivarrshëm” në pikturë kavaleri  deri më sot nuk ekziston thekson studiuesi.

Nëse Onufri karakterizohet nga e kuqja, dy shekuj më pas, Davidi  i Selenicës nga Vlora  në shekullin e 18, veçohet për të zezën , sipas Palushit.

Veçantia e këtij artisti, qëndron te forca e portretit. Edhe portreti i parë laik, mbanë firmën e tij.

Vepra është një ndër ikonat e rralla që ndodhen në këtë muze, realizuara nga David Selenica, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shekullit XVIII.

Pas këtij xhirimi, vepra do të ruhet në fond  dhe ekspozohet në raste të veçanta për publikun. David Selenica ,ishte një piktor shqiptar i fundshekullit të XVII dhe fillim shekullit të XVIII.

Ai konsiderohet si një nga figurat më të shquara të ikonografisë në Shqipërinë post-Bizantine. Punët e tij ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në pavionin e ikonave, si dhe në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Punime të tjera të David Selenicës gjenden në disa manastire në Malin e Athosit. Si dhe  në Voskopojë ruhen shtatë prej muraleve të tij./abcnews.al