Edison Harizaj, i njohur si miku i Emiljano Shullazit është ekzekutuar me breshëri automatiku afër mesnatës në Durrës, pranë vendit të njohur si “bregu i kanalit”. Harizaj po lëvizte me një automjet tip Audi që drejtohej nga 33 vjeçari Genci Caca i cili u plagos rëndë, por ndërroi jetë të mërkurën në mbrëmje në spitalin e Traumës.
“Faqedjeguri” siç e njihnin vlonjatët viktimën e atentatit në Durrës, është hetuar për vrasjen e Gjyqtarit Skerdilajt Konomi. Por hetuesit nuk siguruan prova për përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Edison Harizaj 39 vjeç ishte një nga eksponentët më të rrezikshëm në qytetin bregdetar. Në 2 gusht një i arrestuar në Fier, Gazmend Merkaj në dëshminë e tij e akuzoi Harizajn për zhdukjen e Albano Xhaferrit, sepse ky kishte dijeni për atentatin ndaj Ferdinant Llanajt në tetor të vitit 2017. Kurse në metropol, ai njihej edhe si lidhje e ngushtë e Emiljano Shullazit.
Ekzekutimi i tij u bë me breshëri plumbash automatiku pranë vendit të njohur si “Bregu i kanalit” në Durrës. Gjurmët e gjakut ishin aty deri në orët e paradites së kësaj të mërkure. Po udhëtonte me një audi nga Tirana në drejtim të Kavajës bashkë me mikun e tij Genc Caca. Atentatorët hapën zjarr nga ana e pasagjerit ku ndodhej Harizaj. Ai vdiq në vend. Kurse 33 vjeçari Caca në timon mori plumb në kokë dhe në trup.
Mbremjen e të mërkurës ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Hetuesit gjetën në vendin e ekzekutimit dy lloje gëzhojash. Dhe mendohet se kanë qenë dy gjuajtës dhe një person i tretë në makinë. Më para ata ishin venë në ndjekje të makinës së Harizajt. Derisa e detyruan ate të futej në rrugë dytësore, ku nuk kishte dalje. Aty ku dhe e sulmuan me zjarr për minuta të tëra. Të shtënat alarmuan banorët e Durrësit.
Enkeleda Arapi, gazetare e ABC News: “Për t’i shpëtuar atentatorëve të cilët i ishin vënë në ndjekje kalojnë rrugën kryesore për tu futur në këtë rrugë dytësore, por sapo ata kanë bërë vetëm 20 metra janë përballur me një breshëri automatiku duke e pasur të pamundur të lëvizin.”
Jo shumë larg vendit të ngjarjes në Shën Vlash policia zbuloi një makinë të shkrumbuar. Ajo ishte pa targa dhe dyshohet që u përdor nga autorët e atentatit. Brenda saj policia nuk gjeti armë. Kurse banorët thonë se dëgjuan një shpërthim të fuqishëm.
Banori: “Ishte zhurmë shumë trishtuese sepse nuk dëgjohen zhurma të atilla. Mendova se mund të shpërthejnë mina, absolutisht që nuk e mendova ashtu. Vetëm që fëmija dhe gruaja u trembën shumë.”
Policia e Durrësit nuk dalë me versionin e saj për shkaqet e krimit, por dyshohet se ka lidhje me aktivitetin kriminal të viktimës Edison Harizaj i cili më parë ka qenë i implikuar në trafik droge dhe në pune të tjera të pista. Thuhet për një larje hesapesh, apo heqje qafe të punëtorëve të krimit, por kjo mbetet të dalë nga hetimet që janë shtrirë në Durreës, Vlorë dhe Tiranë. Shumë persona janë shoqëruar, por ende nuk ka një të dyshuar që mund të çonte policinë tek autorët e dyshuar./abcnews.al