Në vitet ’80 – ’90 të shekullit të shkuar kolapsi dhe falimentimi i sistemit komunist së shumti kujtohet me imazhet e urisë.
Rikthimi i sistemit të triskëtimit të ushqimit dhe radhët e gjata, për një shishe qumësht apo kos, të zëna në orët e para të mëngjesit, tashmë kanë bërë vend në memorien e gjithsecilit.
Por përse mbërritëm në një ditë të tillë? Si rrodhën ngjarjet që e kthyen Shqipërinë në vendin absolutisht më të varfër të Europës, ku për shumicën ishte uria ajo që diktonte dhe merrte pothuaj gjithë impenjimin dhe energjitë e anëtarëve të familjes?
Gjithçka e pandodhur dhe e panjohur më parë nisi për shkak të zbatimit në terren të reformave të një rendi politik të ndryshëm. Të një rendi të quajtur komunist apo socialist, që duhej të funksiononte mbi bazën e pronësisë shtetërore dhe kolektive të të mirave materiale. Thënë ndryshe rendi komunist duhet të ngrihej dhe lulëzonte pas konfiskimit, shtetëzimit, kolektivizimit etj të pronës private.
Në fshat, fillimisht komunistët e nisën me trumbetat e reformës agrare.
Në fakt për reformë agrare në Shqipëri ishin bërë plane qysh në vitin 1924, gjatë qeverisjes së shkurtër të Fan Nolit, por gjithçka do të bëhej reale vetëm 4 vite më pas, me shpalljen e Monarkisë.
Reforma Agrare e ndërmarrë nga Mbreti Zog gjeti menjëherë kundërshtinë e pronarëve të mëdhenj të tokave, të cilëve, krejt papritur ju rreshtua në krah edhe një aleat i pallogaritur: Qeveria fashiste e Benito Musolinit.
Aleatët e përtej detit kishin plane të tjera për Shqipërinë. Ëndrrat e vjetra koloniale ishin rishfaqur dhe copëzimi i sipërfaqes së tokës sa duket ua prishte këto plane. Për këtë qëllim italianët e detyrojnë Mbretin Zog që ti lejonte të dërgonin dhe vendosnin një përfaqësues të tyre në krye të reformës.
Reforma Agrare dekretohet nga Mbreti Zog më 3 maj të vitit 1930. Synimi kryesor i hartuesve të ligjeve të kësaj reforme ishte që të kufizohej prona e madhe. Por edhe pse shteti në këtë rast vendoste diktatin e tij mbi pronën e ligjshme private, reforma agrare gjithsesi do të merrte karakteristika kapitaliste. Kjo sepse, pronarëve të mëdhenj nuk u merrej toka më forcë. Ajo vetëm reduktohej. Ndërsa pjesët që shkëputeshin, bëheshin të gjitha kundrejt pagesës dhe dhënies me qira.
Studiuesit janë të mendimit se reforma agrare e kohës së Monarkisë nuk i zgjidhi problemet dhe kjo ndodhi edhe prej faktit se ishte e llogaritur të shtrihej në 15 vite. Nga ana tjetër, komunistët e menduan reformën agrare jo vetëm si një mundësi për të forcuar pushtetin, por edhe si një trampolinë për të arritur qëllimet e tyre politike.
Gjendja e tokës para se ata të nisnin reformën e tyre agrare paraqitej e tillë: Çifligje të shtetit – 167, me gjithsej – 74000 hektarë tokë, çifligje private 471, me gjithsej 127743 hektarë tokë, ndërsa pronarët e vegjël, nën 40 hektarë, kishin gjithsej 122527 hektarë tokë.
Nga reforma fillimisht do të përfitonin fshatarët që ndodheshin në tokat e shpronësuara dhe ata që donin të shpërnguleshin nga vendet e dëmtuara nga lufta. Në të dy rastet më të preferuarat do të ishin familjet e dëshmorëve si familjet e atyre që kishin marrë pjesë në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare.
Reforma agrare ju shpërndau familjeve nga 5 hektarë tokë duke korrigjuar me shtesë të sipërfaqes për familjet me shumë kurora dhe me shumë fëmijë.
Por pati edhe parregullsi të shumta. Mbështetësit e pushtetit i zgjodhën për vete tokat më të mira duke abuzuar edhe me sasinë. Ndërkohë që policia politike akuzoi si sabotatorë të reformës drejtuesit teknikë të saj – një pjesë e të cilëve inxhinierë e agronomë të arsimuar jashtë vendit dhe të njohur për integritetin profesional.
Në përfundim shifrat thoshin se reforma agrare u krye dhe pati efekt në 1411 katunde të zonave fushore dhe kodrinore dhe nuk u krye në 1260 katunde malore, pasi këtu nuk kishte pronarë që mund të shpronësoheshin. Nga zbatimi i reformës u prekën 18439 pronarë, të cilëve ju morën 120000 hektarë tokë dhe 280000 rrënjë ullinj. 8220 pronarë u shpronësuan krejtësisht. Nga Reforma përfituan 51383 familje që kishin pak tokë ose nuk kishin fare.
Por krerët komunistë shqiptarë nuk do të ishin aspak dakord me këto rezultate të para. Koha do të tregonte se ata nxituan të përfundonin reformën agrare, sidomos pjesën e shpronësimeve, me qëllim që ta kishin rrugën të hapur që të gjithë sipërfaqen e tokës së punueshme ta kthenin në pronë kolektive apo me keq akoma – në pronë shtetërore.
Kjo sepse qëllimi final i reformave në shtetin komunist ishte pikërisht shtetëzimi i të gjitha pronave, thënë ndryshe, zhveshja e popullit nga çdo lloj pasurie që konsiderohej si element i shoqërive borgjeze dhe rendit kapitalist.
Për fat të mirë komunistët shqiptarë vendosën që me tokat bujqësore të zbatonin modelin jugosllav të kolektivizimit, dhe jo atë sovjetik të shtetëzimit. Duket, rol në këtë vendim luajti edhe fakti se toka, në shumicën absolute të saj u përkiste bujqve dhe vetëm një e katërta ishte në duar të pronarëve të mëdhenj.
Që reforma agrare ishte vetëm një stacion për të shkuar te kolektivizimi këtë e vërteton edhe fakti i ndalimit, njëkohësisht, me një urdhër të Ministrit të Drejtësisë, të janarit 1945, i regjistrimit në noteri të akteve të shitblerjes së tokave apo qoftë edhe hipotekimi i tyre.
Madje nxitimi për të shkuar te kolektivizimi u shfaq shpejt, pasi kooperativat e para nisën të ngriheshin kur reforma agrare ende nuk kishte përfunduar…
Pikërisht historinë e plotë të reformave komuniste në bujqësi, nisur me reformën agrare, kolektivizimin bashkë me fabrikimin e kulakëve e deri te tufëzimi i bagëtive, pasojat që ato sollën për popullin e thjeshtë, të identifikuara më së miri me urinë e viteve 1980-1990, solli dokumentari i radhës i ciklit Abc/Story, që u shfaq premierë të shtunën në orën 23:00, në tv ABC./ Abcnews.al