Në periferi të qytetit të Fushë Krujës ekziston një vendgrumbullim i plehrave të zonës, por edhe të Tiranës. Aty çdo ditë mbeturinave iu vihet flakë pa kontroll dhe gazrat e tymi e kthejnë qytetin të pabanueshëm.
Pamje të tilla zor të besohen se vijnë nga një qytet vetëm pak kilometra larg metropolit. Tymi dhe bloza ka mbuluar gjithë hapësirën sipër shtëpive. Këtu në Fushë Krujë duket se çdo gjë është kthyer në plehra.
Një situatë e tillë shkaktohet nga vendepozitimi në periferi të qytetit, fshehur pas një kodre. I është shmangur ekspozimit, por nuk mund të shmang gazrat dhe tymi që çlirohen nga djegia e pakontrolluar e tyre.
Dëshmitarët e një katastrofe të tillë, janë këta njerëz që çdo ditë gërmojnë për të gjetur ndonjë send mes plehrave. Banorët e Fushë – Krujës nuk e kanë idenë më të vogël se si zgjidhet ky problem. Thjesht u duhet të bashkëjetojnë me një mjedis të ndotur deri në parametrat e pabesueshmërisë.
Kjo panoramë i përket një zone me resurse turistike. Jo shumë larg saj ndodhet Parku Kombëtar i Qafë Shtambës, drejt të cilit shumë të huaj ngjiten për ta vizituar. /abcnews.al