Copa America ka mbërritur në një moment mjaft të ethshëm sepse luhen ndeshjet e fundit në grupe dhe gara për vendet e kreut është e fortë. Mbrëmë në fushë ishin skuadrat e grupit B.
Afër mesnatës u luajt sfida mes Perusë dhe Ekuadorit, që ishte mjaft e bukur dhe me gola. Peruja arriti mrekullisht të barazonte avantazhin me dy gola të Ekuadorit dhe mundi të dalë me pikë nga një ndeshje që mund të quhej e humbur.
Në 2:00 në fushë zbritën pretendentët e Brazilit. Neymar me shokë pritën Kolumbinë në stadiumin “Nilton Santos” dhe rezultoi të ishte një ndeshje shumë e fortë dhe e komplikuar për skuadrën e Tite.
Miqtë gjetën avantazhin që në minutën e 10 me Luis Diaz, që tundi rrjetën pas asistit të Juan Cuadrados. Përgjigja e Brazilit vonoi mjaft, megjithëse e dominuan lojën dhe humbën raste të pastra.
Në minutën e 78, Firmino goditi saktë me kokë pas asistit të Renan Lodi dhe barazoi ndeshjen. Pas golit Brazili vuri në dispozicion gjithë kapacitetin e tij dhe vazhdoi të kërkojë portën e Kolumbisë.
Për shkak të ndalesave të shumta gjyqtari dha 10 minuta shtesë, që rezultuan të jenë të mjaftueshme për Brazilin që të kthente rezultatin. Pikërisht në minutën e fundit të gjithë ndeshjes Casemiro shënoi pas asistit të Neymar dhe fiksoi shifrat në 2-1.
Me këtë fitore, Brazili siguron kualifikimin si kokë grupi, teksa në pjesën e poshtme të tabelës gara për katër vendet e para është e fortë dhe do vendoset deri në minutat e fundit të ndeshjeve në grupe. /abcnews.al