Brenda kampit të tmerrshëm në SHBA, fëmijët emigrantë jetojnë në kushte alarmante

schedule08:37 - 23 Qershor, 2021

schedule 08:37 - 23 Qershor, 2021

Në një qendër të ndalimit kufitar amerikan në shkretëtirën e Texas, fëmijët emigrantë jetojnë në kushte alarmante, ku sëmundjet janë të përhapura, ushqimi mund të jetë i rrezikshëm dhe ka raporte të abuzimit seksual. Gjendja është zbuluar nga një hetim i BBC.

Në muajt e fundit, në SHBA ka pasur rritje masive të emigrantëve dhe azilkërkuesve nga Amerika Latine. Dhuna, katastrofat natyrore dhe gjendja ekonomike të lidhura me pandeminë janë disa nga arsyet që qëndrojnë pas fluksit, thonë ekspertët.

Disa kanë sugjeruar gjithashtu perceptimin e një administrate më të butë nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden, megjithëse Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar emigrantëve të mos shkojnë në kufirin e SHBA, përcjell abcnews.al.

Kampi në tendë në bazën ushtarake Fort Bliss në El Paso, Texas, është shtëpia e përkohshme për mbi 2,000 fëmijë të mitur, të cilët kanë kapërcyer vetëm kufirin SHBA-Meksikë dhe tani po presin ribashkimin me familjen në SHBA.

Zbulimi nga hetimi i BBC përfshijnë akuza për abuzim seksual, shpërthime të Covid dhe morrave, një fëmijë që pret orë të tëra për kujdes mjekësor, mungesë rrobash të pastra dhe fëmijëve të uritur që udhqehen me mish të pazier.

BBC u ka folur punonjësve të kampit për këto kushte dhe ka parë foto dhe video të kontrabanduara nga stafi.

Kampi Fort Bliss përbëhet nga të paktën 12 çadra, disa prej të cilave strehojnë qindra fëmijë njëkohësisht. Fëmijët e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në çadra, duke dalë për një ose dy orë argëtimi, ose të rreshtohen me qindra të tjerë për një vakt.

Stafi i tha BBC-së se ushqimi ishte kryesisht i ngrënshëm, por një 15-vjeçar që tani është liruar tha se ishte ushqyer me mish të papjekur. “Ndonjëherë pula kishte gjak, mishi shumë i kuq. Ne nuk mund ta duronim urinë dhe e hëngrëm, por u sëmurëm prej saj, ” ka rrëfyer ai.

Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), i cili punëson kontraktorë privatë për të ndihmuar në drejtimin e kampit, thotë se ai është i përkushtuar për transparencë, por BBC nuk iu lejua hyrja në kamp. g.v/abcnews.al