Zgjedhjet e 6 nëntorit në Shtetet e Bashkuara do të jenë një test për Donald Trump. Aktualisht kandidatët e presidentit për Kongresin dhe zyrat e guvernatorëve udhëheqin sondazhet në bastionet e tij, por jashtë tyre çalojnë. Ndaj, aktivistët e axhendës “Amerika e Para” deklarojnë se zgjedhjet do të jenë një test si për popullaritetin e presidentit, ashtu dhe për politikat e tij proteksioniste.
Miting pas mitingu, presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje turmave të mbështetësve të tij që t’i shohin zgjedhjet e ardhshme për Kongresin si një referendum për figurën e tij. “Ju do të votoni për mua në 2018-n! Për mua!”, tha me inat Trump përpara njerëzve të mbledhur në Misuri. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, apeli tregon sfidën me të cilën përballen presidenti dhe mbështetësit e tij, në një kohë kur demokratët kërcënojnë të marrin nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve dhe zyrat e guvernatorëve. Zgjedhjet e 6 nëntorit janë testi i parë real për të verifikuar nëse administrata e udhëhequr nga parulla “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish” do të mund të evoluojë nga një grup i drejtuar nga personaliteti i një njeriu në një forcë politike të organizuar, në gjendje të promovojë kandidatët e saj edhe jashtë bastioneve elektorale. Stafi që punon prapa axhendës “Amerika e Para”, që nxit mbylljen e kufijve, proteksionizmin ekonomik dhe një diplomaci politikisht jokorrekte, në vitin 2016 tërhoqI votuesit që ishin ndjerë të injoruar nga Uashingtoni dhe mbështetëin politikën e Trump për ndryshim. Ndërsa sot, stafi i Trump tërheq konservatorët e lëvizjes politike Ti Parti, të krishterët evangjelistë, mbështetësit e lirisë së armëve dhe klasën punëtore të tërhequr nga personaliteti i jashtëm i presidentit. Baza populiste e Trump është rrënjosur mirë kryesisht në rajonet jugore dhe perëndimore të Amerikës, ku dhe ai është më popullor. Këtë e demonstron edhe mbështetja e qytetarëve të atyre zonave në sondazhe dhe me pjesëmarrjen në eventet elektorale. Por jashtë bastioneve, influenca e presidentit dhe e mbështetësve të tij është më e kufizuar sidomos në shtete si Pensilvania, Ohajo dhe Miduesti i sipërm. Ndaj, nëse mbështetësit e Trump mund të çojnë kandidatët e tij drejt posteve zyrtare në disa zona, në disa të tjera këtë mision e kanë praktikisht të pamundur. Në mungesë të një organizimi qendror dhe duke shpërfillur hierarkitë republikane, mbështetësit e presidentit veprojnë kryesisht në rrjetet sociale si Fejsbuk dhe Redit. Pasi ka intervistuar shumë prej tyre, “Reuters” ka konstatuar se vullneti i tyre për të mbështetur fushatat elektorale lidhet më shumë me mbështetjen për Trump sesa me besnikërinë për partinë republikane. Dhe kjo sipas agjencisë së lajmeve mund të kthehet në një bumerang për pushtetin e tij. “Zgjedhjet e vitit 2018 do të jenë një test për popullaritetin e Trump, për popullaritetin e politikave të tij, nëse u organizuar mirë apo duhet të organizohemi më shumë dhe të përmirësojmë gjërat për zgjedhjet e 2020-s”, ka deklaruar Skot Presler, aktivist nga Virxhinia. Mes 18 kandidatëve të Trump që garojnë për një vend në Senat ose për guvernatorë në shtetet ku Trump fitoi zgjedhjet presidenciale me mbi 10 për qind më shumë në vitin 2016, mbi 80 për qind e tyre ndodhen përpara në sondazhe. Por për 16 kandidatë të tjerë që garojnë në shtete ku Trump dy vite më parë mori më pak se 10 për qind, vetëm 4 prej tyre janë në avantazh. /abcnews.al