Kosova arriti një rezultat historik në eleminatoret e Europianit U17. Pavarësisht mungesës së përvojës, ajo u kualifikua për në raundin tjetër.
Një sukses vërtet i madh. Ekipi përfaqësues i Kosovës U17 arriti një kualifikim historik për në turin e dytë të kampionatit europian të moshave, në raundin elitë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Besnik Kollari, doli më e forta në ndeshjet e luajtura në formë grumbullimi në Qipro, duke dalë e vetme në vendin e parë.
Fitorja vendimtare ishte ndaj Qipros vendase, me golin e shënuar nga Milot Avdyli në minutën e 63-të.
Shqiptarët e Kosovës e nisën me rezultat negativ konkurrimin në grupn, duke humbur 1-2 me Skocinë në 26 tetor, por fituan takimin e dytë kundër Zvicrës, sukses i vendosur nga goli i Zumberit në pjesën e dytë.
Kualifikimi vërtet duhet quajtur i rëndësishëm, pasi kjo ishte vetëm pjesëmarrja e dytë e Kosovës në eleminatoret e Europianit, pra duke pasur mungesë të theksuar përvoje.
Kosova U17 ka në përbërje lojtarë 15 dhe 16-vjeçarë, me një përzierje të atyre që luajnë brenda vendit dhe në Europë.
Tashmë, djemtë e trajnerit Kollari presin shortin për raundin elitë, që do të hidhet në 6 dhjetor në Nion të Zvicrës, ndërsa do të jenë të vendosur në vazon e tretë. /abcnews.al