Seksologu nga Kosova shpjegon pse po vdesin të moshuarit nëpër motele

schedule12:34 - 22 Qershor, 2021

schedule 12:34 - 22 Qershor, 2021

Një 64-vjeçar u gjet i vdekur mesditën e së hënës në një motel në Prizren.  Policia ka njoftuar se viktima në momentin kritik ishte në  shoqërinë e një gruaje të moshës 70 vjeçare, e cila më pas ishte larguar nga moteli ku po qëndronte me 64 vjeçarin.

“Rreth orës 12:17 min., policia ka pranuar një informacion nga një ekip e emergjencës se në një motel në Prizren është gjetur një person pa shenja jete. Hetuesit dhe forenzika kanë dalur në vendin e ngjarjes, është informuar Prokurori dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Shaban Osmanolllaj.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Në Kosovë janë shënuar disa ngjarje kur të moshuarit humbin jetën në motele.

Por pse po vdesin të moshuarit në motele?

Seksologu Hajrullah Fejza ka treguar se çfarë po ndikon që këta persona të humbin jetën.

“Marrëdhëniet seksuale përveç kënaqësisë janë edhe aktivitet fizik në shumicën e rasteve edhe sforcim i tepërt fizik. Vdekjet në këto raste ndodhin për shumë arsye: si pasojë e sforcimit të tepërt fizik, si pasojë e marrjes së barnave pa përshkrim nga mjeku dhe pa udhëzim nga farmacisti apo si pasojë e gjendjeve tjera shëndetësore”, ka thënë ai për Gazetën Infokus.

Fejza thotë se raste të tilla parandalohen nëse konsultohen paraprakisht me mjekët.

“Seksi nuk njeh moshë, nuk duhet ndalur askujt pa marrë parasysh sa vjet është. Një parandalim i vdekjes si pasojë e konsumimit të barnave mund të bëhet nga mjekët dhe farmacistët e që për fat të keq nuk po ndodhë.  Mjeku rrallë ose fare nuk e pyet pacientin për aktivitetin seksual dhe si rrjedhojë pacienti kërkon vet dhe merr barna në farmaci pa asnjë udhëzim apo rekomandim. Ka raste kur gjendja shëndetësore e pacientit nuk lejon marrjen e barnave të tilla”, ka deklaruar ai.

Seksologu kosovar shton se duhet një edukim i mjekëve dhe farmacistëve në kuptim të këshillimit me pacientë lidhur me shëndetin seksual dhe nevojat seksuale.