Në një moshë kur shumëkush zgjedh qetësinë, Skënder Gashi zgjedh sfidën. 72-vjeçari, ish-mjek dhe sot një nga vrapuesit më frymëzues shqiptarë, po shkëlqen në arenën ndërkombëtare të maratonave elitare.
Në Maratonën e Londrës, mes rreth 60 mijë pjesëmarrësve, ai ngriti lart flamurin e Kosovës dhe u ngjit në podium si i pari në kategorinë e tij. Një garë e vështirë, me nisje të vonë dhe temperatura përvëluese, por që nuk arritën ta ndalin ritmin e tij.
“Përshkova 42.195 kilometra pa u dorëzuar. As vapa, as lodhja nuk më ndalën”, shprehet Gashi, i cili tashmë është pjesë e ciklit prestigjioz “World Marathon Majors”, shtatë maratonat më të rëndësishme në botë.
Boston, Chicago, New York, Sydney, London, Berlin dhe Tokyo, janë stacionet e ëndrrës së tij. Deri më tani ka përfunduar pesë prej tyre dhe synon të mbyllë ciklin, duke u bërë shqiptari i vetëm që arrin këtë sukses.
Historia e tij nuk nis me podiume, por me sakrifica. Që i vogël përshkonte 8 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë. Më vonë, gjatë specializimit si mjek, shtoi peshë deri në 107 kilogramë dhe e humbi lidhjen me trupin e tij.
“Vrapi ishte shpëtimi im. Më ndihmoi të rikthej veten”, rrëfen ai.
Që nga viti 2005, kur nisi me Gjysmëmaratonën e Prishtinës, Skënder Gashi ka përfunduar mbi 40 maratona në mbarë botën. Me disiplinë të hekurt dhe stërvitje të vazhdueshme, rezultatet nuk kanë munguar.
Në Boston u rendit në Top 10 për kategorinë 70+, ndërsa në Berat vazhdon të jetë një emër i njohur, duke u rikthyer çdo vit me ambicie të reja. Por përtej medaljeve, mesazhi i tij është i qartë: mosha nuk është kufi. Është vetëm një numër që sfidohet çdo ditë me vullnet, pasion dhe këmbëngulje.



