Veliaj: Çdo martesë dhe lindje të festohet me një pemë

schedule15:02 - 2 Nëntor, 2018

schedule 15:02 - 2 Nëntor, 2018

Fushata e mbjelljes së pemëve vijoi në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.  Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i bëri thirrje qytetarëve që për çdo martesë apo lindje të festojnë duke mbjellë një pemë.

Nëse martohesh apo lind një fëmijë në Tiranë, gëzimin e jetës tënde mund ta shoqërosh edhe duke mbjellë një pemë. Sugjerimi vjen nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë aksionit të mbjelljes së pemëve pranë ish-Fushës së Aviacionit në njësinë administrative numër shtatë.

“Për herë të parë në këtë vit nuk do t’i kushtëzojmë, por do t’i inkurajojmë të gjithë ata që lidhin martësë apo regjistrojnë fëmijët e sapolindur me mbjelljen e një peme. Është një kusht miqësor, jo se nuk e kemi detyrimin t’ua japim çertifikatën e martesës apo të lindjes, porse duam që ta kushtëzojmë për të emancipuar prindërit. Vetëm në Njësinë 7, ku çdo ditë martohen 3 çifte, i bie të mbjellim 1000 pemë në vit. Sikur çdo njësi të mbillte 1000 pemë në vit nga martesat dhe 2-3 mijë nga lindjet, do të kishim realisht një qytet shumë më miqësor”.

Njëkohësisht kryetari i bashkisë iu bëri thirrje edhe bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, t’i bashkohen nismës për mbjelljen e pemëve, ndërsa deklaroi se këtë stinë do të thyejë rekordin e vitit të shkuar.

“Dua t’i ftoj bizneset, administratorët e pallateve, ndërlidhësit e komunitetit, secili të piketojë një vend në zonën e tij. Pemët janë e vetmja gjë që mund të mbillen në çdo kohë, në ditë me shi, me kohë të vrenjtur, me diell, gjatë gjithë muajve nga nëntori deri në prill, ndaj besoj se do ta thyejmë rekordin që patëm vjet me 150 mijë pemë. Fillimi duket i mbarë, por ama secili duhet të japë një kontribut”.

Këtë sezon, Bashkia e Tiranës do ta organizojë fushatën mbjelljeve jo vetëm në parqe, por edhe në çdo sheshe, rrugica e çdo lagje të qytetit./abcnews.al