Elseid Hysaj nuk po kalon një moment të mirë tek Napoli. Ka kritika për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, që duket se ka mbetur i pakënaqur nga dështimi i transferimit tek Çelsi në Angli.
Ka qenë ndër më të rëndësishmit në skuadër. Elseid Hysaj tek Napoli cilësohet një histori suksesi për 3 vite me radhë, por duket se diçka ka ndryshuar. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është në vështirësi këtë sezon me skemat e trajnerit të ri, Karlo Ançeloti, ndërsa po merr kritika. Mediat në Itali madje bëjnë pyetjen nëse “Milik dhe Hysaj janë pengesë për këtë Napoli?” Kritikat duken të ekzagjeruara, ndonëse e vërteta është që shqiptari nuk është ai i viteve të kaluara. Për këtë duket se një arsye të fortë.
“Napoli Sport” shkruan: “Ndërlikohet rinovimi i Hysajt, shkak është Çelsi, pasi futbollisti është i zhgënjyer që nuk u transferua tek Sarri! Futbollisti ishte pranë kalimit në Angli, dhe sipas mediave iu ofruan 4 milionë euro rrogë në sezon, por Napoli nuk e lejoi këtë gjë. Tashmë, bisedimet kanë ngecur dhe presidenti De Laurentis nuk dëshiron t’i japë Hysajt kontratë të re me rrogë 2.5 milionë euro, aq sa kërkohet prej tij.
Napoli pranon deri në 2 milionë euro. Kjo situatë, natyrisht nuk e ndihmon aspak mbrojtësin e majtë, dhe po ashtu ndikon për keq në rendimentin e tij në kombëtaren shqiptare./abcnews.al