Kuvendi miraton dy anëtarët e KQZ

schedule15:20 - 1 Nëntor, 2018

schedule 15:20 - 1 Nëntor, 2018

Parlamenti miratoi sot dy anëtarët e rinj të KQZ-së Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri, të cilët bënë edhe betimin para deputetëve. Në seancë ka marrë pjesë edhe ish-ministri Xhafaj, që ndryshe nga deri tani është ulur në fund të sallës, si deputet i thjeshtë.

Pas këtij votimi, mazhoranca merr në dorë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rezarta Bitri dhe Bledar Skënderi janë anëtarët që zëvendësojnë dy kolegët e tyre të djathtë Vera Shtjefni dhe Gëzim Osmanaj të cilëve u kishte mbaruar mandati.

74 kartonët e mazhorancës që votuan pro propozimit të tyre, janë në pritje të dy kandidaturave të opozitës. Por siç ndodh rëndom në emër të deputetëve socialistë është kryetari i grupi Taulant Balla që del në foltore të sqarojë çdo keqkuptim.

“Kërkova fjalën për të sqaruar sadopak kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili u shpreh se nga dy kandidaturat që ne votojmë, njëra i takon PD. Lulzim të takojnë dy kandidatura, jo një. Nga katër vakanca të krijuara në KQZ, dy në mënyrë të barabartë i takojnë mazhorancës dhe dy opozitës, jo një. Përfitoj nga rasti dhe sot që ti rikërkojmë PD, opozitës të sjellë dy kandidaturat, jo një. Nuk ta kanë shpjeguar mirë Lulzim të tutë, nga katër ke gjysmat”, tha ai

Taulant Balla i kujton Lulzim Bashës se shumicës i takon shumica.

“Sa i përket partisë që ka numrin më të madh të mandateve në shumicë, jemi vetëm PS. Të dy vendet që i takonin shumicës parlamentare së legjislaturës së vitit 2009-2013 tashmë i takojnë shumicës parlamentyare të legjislaturës 2017-2021. Dy ish-anëtarët e KQZ, Vera Shtjefni dhe anëtari tjetër kanë qenë propozime të PD. Automatikisht dy propozimet e reja i takojnë partisë që ka shumicën parlamentare sot, PS”, tha Balla.

Mungesa e opozitës është bërë e zakonshme për seancat parlamentare, por jo vendi bosh i ministrit të Brendshëm. Ish-ministri Fatmir Xhafaj u ul në fund të sallës. Nuk i dha përgjigje ngacmimit të gazetarëve për të marrë vesh ndonjë arsye më shumë për dorëheqjen e tij, por nxitoi të largohej para kolegëve të tij socialistë./abcnews.al