Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i drogës në Portin e Durrësit. Mësohet se sasia e kokainës së sekuestruar nuk është ajo e cila u raportua fillimisht.
Lexo edhe: Zbardhet dëshmia e shoferit të kamionit me 300 kg kokainë, skaneri zbuloi gjithçka, ku ishte fshehur
Pas përfundimit të peshimit nga grupi hetimor rezultoi se pesha totale e gjetur brenda një kamioni është 324 kilogramë e 400 gramë.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi ditën e djeshme. Sasia e lëndës narkotike ishte e fshehur në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut që po kalonte transit drejt Italisë.
Kamioni drejtohet nga 40-vjeçari Nazif Ajroski nga Maqedonia e Veriut , i cili edhe u arrestua nga policia.
Informacion-DVP Durrës
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, ku nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritet doganore të Portit, u sekuestrua një sasi e madhe lëndë narkotike kokainë, ju informojmë se:
Në vijim të punës së kryer nga grupi hetimor, pas përfundimit të peshimit të pakove me kokainë, rezultoi se pesha totale është 324 kilogramë e 400 gramë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën hetimore në bashkëpunim dhe me autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut për zbardhjen, dokumentimin, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./i.k/abcnews.al/