Në Gjykatën e Krimeve të Rënda nisi sot paraqitja e konkluzioneve të palës mbrojtëse në procesin ndaj grupit të Shullazit. Avokati i Emiliano Shullazit, Vladimir Meçe kërkoi pafajësi për klientin e tij. Avokatët e tjerë vazhdojnë në 13 nëntor.
Pas disa seancash të dështuara, pala mbrojtëse e të pandehurve në procesin ndaj grupit “Shullazi” filloi leximin e konkluzioneve, në një seancë ku 5 të pandehurit nuk ishin të pranishëm. I pari e ka insur këtë proces avokati i Emiliano Shullazit, Vladimir Meçe, i cili pasi lexoi nje material voluminoz me konkluzionet përfundimtare, kerkoi pafajësi për klientin e tij.
Avokati Meçi argumentoi pse nuk i pranon akuzat e prokurorisë
Vladimir Meçi: “Një proces i nisur keq dhe i paravendosur. Media, opinioni publik, politik dhe ai diplomatik e kishin vendosur dënimin e Emiljano Shullazit. Ishin të shumtë ata që më thonin mua se gjyqi ishte i paracaktuar, por unë dhe klienti im synojmë vetëm të vërtetën”.
Më tej avokati Vladimir Meçe shpjegoi se nisi procesi ndaj Shullazit:
“Më 17 prill të 2016-s ka nisur procedimi penal ndaj Emiljano Shullazit, pasi, sipas prokurorisë, kishte kërcënuar dy akademikët, Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Ky hetim ka nisur në bazë të një denoncimi të bërë publik nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Më pas në skenë del edhe një person tjetër i quajtuar Ylvi Beqja. Ky i fundit ka pasur marrëdhënie të mirë me Emiljanon dhe me disa nga të personat që janë nën hetim. Madje në një prononcim, Beqja ishte shprehur se: “Emiljano Shullazi më shpëtoi nga ai hall i madh që kisha dhe dhurimin i një pjese të ish hotel Vollgës ishte më e pakta që mund të bëja.”. Prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj i bëri presion Beqajt dhe më 27 korrik të 2016 dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë ndryshoi qëndrim, duke akuzuar Shullazin për kërcënim dhe përvetësim me dhunë e armë zjarri të një pjesë të ish-Hotel Vollgës. Në deklarimet e Ylvi Beqajt ka kontradikta zoti gjyqtar dhe unë si mbrojtës kërkoj pafajësi për klientin tim, Emiljano Shullazi”.
Avokatët e 4 të pandehurve të tjerë në këtë proces, Gilmando Dani, Endri Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi kërkuan kohë për paraqitjen e konkluzioneve. Seancë e rradhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda u caktua në datën 13 nëntor.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në total një dënim me 64 vite burg për grupin e Shullazit. Për Emiliano Shullazin u kërkua dënimi me 17 vjet burg. Pretenca është përgatitur nga prokurorët Donika Prela, Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani. Grupi i Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie./abcnews.al