Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për shtetasen turke Julide Yazici, e cila u arrestua tre ditë më parë në Rinas për llogari të Turqisë. Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit Françes Gani, i cili kërkoi që 32 vjeccarja të mbahej në qeli deri në mbërritjen e dokumentacionit zyrtar të ekstradimit nga autoritetet turke, të cilat kanë afat 40 ditë.
Në seancën gjyqësore këtë të premte, shtetasja turke ka pretenduar se përndiqet politikisht për shkak të bindjeve politike dhe ka kundërshtuar kërkesën e autoriteteve turke për ekstradim.
Interpol Tirana pas verfikimeve të kryera, konstatoi se 32 vjeccarja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, pasi është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burg për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Pasi të mbërrijë dokumentacioni i ekstradimit nga organet ligjzbatuese turke, gjykata penale e Tiranës do të shprehet më pas lidhur me pranimin ose rrëzimin e kërkesës së Turqisë për ta ekstraduar atë.
Sipas informacioneve nga policia, Julide Yazici me profesion mësuese kishte marrë azil politik në Francë, pasi pretendon se në Turqi i rrezikohet jeta.
/abcnews.al

