Dështon “gjyqi” publik, Dritan Leli u përgjigjet socialistëve: Përgjigjet i keni në e-mail

schedule17:14 - 15 Qershor, 2021

schedule 17:14 - 15 Qershor, 2021

Një mbledhje e ngjashme me një gjyq publik u thirr nga socialistët e këshillit bashkiak Vlorë, të cilët kërkuan që Dritan Leli të jepte llogari për punët e pabëra në qytet, që po dëmtonin turizmin.

Takimi u kërkua të mbahej në Teatrin Petro Marko, por Leli, duke ju kujtuar pandeminë kërkoi që mbledhja të bëhej ONLINE. Në një status në rrjetet sociale Leli ka ndarë pjesë nga mbledhja në Zoom, duke theksuar se pavarësisht se këshilltarët bashkiak munguan, përgjigjet për pyetjet e tyre u kanë shkuar në adresat elektronike.

“Dua t’ju bej me dije se pavarësisht mosparaqitjes së këshilltarëve bashkiak në mbledhjen e sotshme online, gjithë çfarë kërkuan të dinin në emër të ankesave të banorëve të Vlorës, u ka shkuar në adresat e tyre elektronike.

Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Vlorë janë përgjigjur me përgjegjshmëri për punët që kanë kryer, njësoj siç do të veprojnë dhe sigurisht, të përmirësohen, në vazhdim!”, shkruan Leli.

Dritan Leli është kryetar i Bashkisë Vlorë që nga viti 2015 dhe është duke ushtruar tani mandatin e dytë. Rrugët e kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama u ndanë në mars të këtij viti, kur Leli nuk pranoi të dorëhiqej si kryebashkiak dhe të kandidonte për deputet. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!