Policia ekuadoriane ka bërë publik emrin e shqiptarit të plagosur një ditë më parë gjatë një atentati në qytetin Guajakil. Ai është Remzi Azemi nga Kosova. Shefi i zyrës së anti-krimit ekuadorin German Cevallos tha se kosovari u qëllua nga dy persona të armatosur, teksa ndodhej në automjetin e tij të blinduar në një lagje periferike të Guajakilit. Në momentin e atentatit, në automjet ndodheshin edhe bashkëshortja e tij po nga Kosova dhe e bija 3-vjeç. Sipas policisë, Azemi kishte ndaluar automjetin, teksa bashkëshortja e tij po tymoste një cigare. Ajo kishte hapur përgjysmë xhamin e automjetit dhe pikërisht kjo hapsirë është shfrytëzuar nga atentatorët, të cilët u afruan dhe qëlluan me armë në drejtim të kosovarit për tu larguar më pas nga vendngjarja me shpejësi me motoçikletë.
Hetuesit ekuadorianë, të cituar nga mediat vendase thanë se Azemi ishte i përfshirë prej kohësh në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ai ka qenë i ndaluar në vitin 2014 gjatë operacionit të koduar me emrin “Ballkan”. Gjatë atij operacioni u arrestuan në total 11 persona, mes të cilëve shqiptarë, kosovarë dhe ekuadorianë, pjesë e një organizate që e kishtë shtrirë aktivitetin e narkotrafikut në Ekuador, Peru e deri në Spanjë e Europë. Dyshime hidhen se ai u lirua pasi kishte pranuar të bashkëpunonte me autoritetet amerikane të anti-drogës.
Remzi Azemi kishte gjithashtu lidhje me Ilir Hidrin, shqiptarin e vrarë më 30 maj po në periferi të Guajakilit. Mediat ekuadoriane shkruajnë se Azemi jetonte me qera në një shtëpi në pronësi të Hidrit.
Aktualisht Azemi po kurohet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia është vënë në kërkim të dy atentarorëve. Ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje edhe bashkëkombas të tjerë, të të plagosurit për të hedhur dritë mbi aferat e narkotrafikut, ku ai është përfshirë./abcnews.al