Lavdërime të tjera për Xherdan Shaqirin, pas golit të radhës për Liverpulit

schedule17:15 - 28 Tetor, 2018

schedule 17:15 - 28 Tetor, 2018

Xherdan Shaqiri bëri një tjetër paraqitje të madhe për Liverpulin dhe meritoi lavdërimet e trajnerit Klop. Kjo, edhe pse shqiptari i Zvicrës u aktivizua vetëm për gjysmë ore në ndeshjen e Premier Ligës.

Vështirë të jetë gjithnjë titullar në një skuadër të tillë. Xherdan Shaqirit, megjithatë, nuk i prishi aspak punë që e nisi nga stoli ndeshjen e Premier Ligës ndaj Kardifit, përkundrazi, ndoshta i bëri mirë. I lodhur nga ngarkesa e madhe tek Liverpuli dhe Zvicra, 26-vjeçari ishte me energjitë e duhura për të bërë diferencën, dhe për të realizuar misionin për të cilin e hodhi në fushë trajneri Jurgen Klop. Shënoi një gol dhe krijoi një tjetër, rendiment i mrekullueshëm në vetëm gjysmë ore lojë. Po ashtu, konfirmimi i radhës, të cilin e theksoi edhe Klopi pas ndeshjes.

“Shaqiri luajti 4 ndeshje radhazi nga 90 minuta, me skuadrën tonë dhe kombëtaren, ndaj vendosa të mos e aktivizoj që në fillim, – tha Klopi, – Kur ai hyri në fushë, ishte strumbullar i dy golave të bukur. Ai luajti shumë mirë dhe për mua është gjithnjë e më e vështirë që ta lë në stol. Gjithsesi, ne kemi nevojë për 14 lojtarë për çdo ndeshje, dhe është gjë e madhe që kemi mundësi të hedhim në fushë një cilësi kaq të lartë”.

Natyrisht, Liverpuli nuk ishte vetëm Shaqiri në suksesin 4-1 ndaj Kardifit. Mbi 53 000 tifozë në “Anfild” u kënaqën nga loja e skuadrës së tyre, që pati epërsi të madhe, duke mbajtur topin 80 për qind, duke gjuajtur 19 herë ndaj 2 të kundërshtarit, e duke pasur 8-0 goditjet nga këndi. Liverpuli ka 26 pikë duke mbetur në krye të Premier Ligës, e duke qenë pretendent I madh për titull, së bashku me Mançester Sitin dhe Çelsin./abcnews.al