Nga Ermal Vija
Me performancën në rrugë synohet të tërhiqet vëmendja ndaj dëmit që korrupsioni i shkakton shoqërisë dhe rolin e rëndësishëm që çdo person duhet të ketë në luftën kundër korrupsionit.
Një nga shqetësimet më të mëdha të Shqipërisë mbetet niveli i lartë korrupsioni, ndërsa për shoqërinë denoncimi i rasteve korruptive është ende një tabu. Paraditen e së enjtes, nisma “Jep Alarmin” e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Ministria e Drejtësisë organizoi një aktivitet me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për të denoncuar rastet korruptive.
Përfaqësues të kësaj organizate kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë dhe të “shpëtojnë” lekët, që “humbasin” çdo ditë nëpërmjet korrupsionit. Sipas Elmerina Ahmetajt, që është edhe përfaqësuese e kësaj organizate, qëllimi i këtij aktiviteti është të tërheqë vëmendjen e qytetarëve për ti dhënë fund korrupsionit.
“Korrupsioni i shkakton dëme te mëdha shoqërisë. Kësaj mund t’i japim fund nëse vendosim të mos marrim pjesë në korrupsion. Prandaj, ftojmë qytetarët të ‘japin alarmin!’ duke shtypur këtë buton dhe në mënyrë simbolike t’i japin fund korrupsionit dhe shkatërrimit të mëtejshëm të parave” tha ajo.
“Jep Alarmin”, është pjesë e fushatës edukuese-informuese që po realizohet nga Sekretariati i Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Ky projekt është organizuar më herët në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe në ditët në vijim edhe në shtete të tjera të Europës juglindore. /d.b/Abcnews.al