Hetimet e Avokatit të Popullit: Enea Ftoi nuk u dhuna në ambjentet e Policisë

schedule12:33 - 25 Tetor, 2018

schedule 12:33 - 25 Tetor, 2018

Enea Ftoi i cili humbi jetën brenda ambjenteve të Policisë sipas Avokatit të Popullit nuk është dhunuar apo rrahur. Kurse familjarët vazhdojnë të fajësojnë policinë për vdekjen e tij.

Sipas hetimit të Avokatit të Popullit Enea Ftoit nuk është dhunuar në ambjentet e Komisariatit të Korçës dhe për pasojë nuk ka vdekur për këtë shkak.

Në hetim thuhet se janë respektuar të drejtat ligjore gjatë veprimeve të kryera nga policia lidhur me orën e arrestimit sigurimin e mbrojtësit, njohja me të drejtat etj.

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton që shkaku i vdekjes së 27 vjeçarit ka qenë, ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës, me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit, sëmundje kronike të mushkërive dhe prezencë të produkteve narkotike.

Nga hetimi i Avokatit të Popullit rezulton se në ambjentin e dhomave të sigurisë të Komisariatit të Korçës, sistemi për kontrollin, monitorimin dhe regjistrimin me anë të pajisjeve audio vizive, të veprimeve të punonjësve të Policisë, që kryejnë me të arrestuarit/ndaluarit, marrjen në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, nuk funksionojnë prej disa muajsh.

Gjithashtu, në dhomën e marrjes në pyetje të të arrestuarve/ndaluara, nuk janë instaluar kamera, edhe pse kjo parashikohet në ligje dhe rregulloret përkatëse.

Megjithëse ligji parashikon që kontrolli mjekësor i të arrestuarve/ndaluarve kryhet nga mjeku apo ndihmësmjeku i Komisariatit, në Komisariatin e Korçës, këtë detyrë e kryente një infermier, që sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit, nuk ka aftësinë profesionale të konstatimit apo trajtimit të problemeve shëndetësore të të ndaluarve.

Avokati i Popullit, referuar rastit të Enea Ftoit i ka rekomanduar Drejtorisë së Policisë së Korçës, instalimin  e sistemit të monitorimit në dhomat e sigurimit dhe në ambjentet e tjera të Komisariatit ku kryhet marrja në pyetje e të ndaluarve. Si dhe plotësimin e organikës së drejtorisë me mjekë më kohë të plotë pune. /abcnews.al