Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e funksionimit të Kuvendit dhe zvarritjen e proceseve politike.
Haradinaj tha se Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa deputetët, sipas tij, po humbin kohë dhe po “djegin mandatin” e tyre.
Ai e cilësoi si arsyetim edhe pretendimin se mungesa e një marrëveshjeje politike mund të shkaktojë tensione në Kuvend.
Në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Haradinaj tha se edhe kjo çështje po përdoret si alibi për zvarritjen e procesit.
Si zgjidhje, ai ka propozuar vazhdimin e mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati dhe me kthimin e tij është në nderin tonë si shqiptarë, si komb”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, rikthimi i Thaçit në postin e presidentit do të ishte një mënyrë për t’iu përgjigjur, siç tha ai, kundërshtarëve të Kosovës dhe për të shmangur zvarritjen e mëtejshme të proceseve institucionale.


