Në kulmin e sezonit veror, Vlora vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj, ndërsa pika panoramike pranë Kaninës është kthyer tashmë në një tjetër atraksion për ata që kërkojnë të shijojnë bukurinë e qytetit dhe të gjirit nga lart.
Përfundimi i Bypass-it të Vlorës nuk ka sjellë vetëm lehtësimin e qarkullimit të automjeteve drejt jugut të vendit, por ka krijuar edhe një tjetër pikë tërheqëse për turistët.
Në një nga pikat panoramike përgjatë aksit, në drejtim të Orikumit dhe pranë fshatit Kaninë, turistët ndalojnë për të shijuar pamjen.
“Kam ardhur nga Spanja për të vizituar Shqipërinë. Pamja është shumë e bukur”, shprehen turistët
“Unë vij nga Padova. Kam qëndruar disa ditë dhe kam vizituar disa plazhe. Vendi është vërtet i bukur. Panorama është shumë e veçantë, deti është i mrekullueshëm. Ishim edhe në Ksamil dhe plazhi na pëlqeu shumë, por edhe qyteti i Vlorës ofron shumë, gjen më shumë hapësirë për plazhe dhe ushqim të shijshëm”, thonë ata.
Edhe numri i pushuesve vendas që ndalojnë për të shijuar këtë panoramë është në rritje, ndërsa mes tyre nuk mungojnë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Për shumë prej tyre, ky aks është tashmë një ndalesë e veçantë, ku përveçse udhëtojnë më lehtë drejt jugut të Vlorës, mund të shijojnë edhe një prej panoramave më të bukura të qytetit.


