Gjykata për Krimet e Rënda la në burg 24 nga 34 të arrestuarit në fundjavë gjatë operacionit “VOL-VO 4”. Në qeli do të qëndrojnë edhe dy ish deputetët e arrestuar Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Për 8 të arrestuar gjykata vendosi izolimin në shtëpi, ndërsa dy gra u lanë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Gjykata për Krimet e Rënda liroi nga qelia 10 nga 34 persona të arrestuar nga operacioni “Vol vo 4”, si anëtarë të katër grupimeve kriminale aktivë në 12 qytete të vendit në trafikun e drogës apo në tjetërsimin e paligjshëm të trojeve në bregdet. Seanca për vlerësimin e masave të sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për ta nisi në orën 09:40 të së enjtes për të përfunduar pas më shumë se 9 orësh. Ish-deputetët Arben Ndoka dhe Arben Çuko, dikur anëtarë të të njëjtit grupi parlamentar, zgjodhën të ulen pranë njëri-tjetrit në sallën e gjyqit. Për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve dhe kapacitetit të kufizuar të sallës së gjyqit, ata i shpëtuan kafazit të xhamit duke u ulur në tavolinën ku në ditë të zakonshme ulen avokatët.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ata rrëzuan me forcë akuzat që iu ka ngarkuar prokuroria mbi supe, si të pabazuara në prova dhe në fakte. Por pretendimet e tyre nuk bindën për të kundërtën gjyqtarin Bib Ndreca, i cili la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ta. Seanca e pazakontë u shoqëruar edhe me disa zhvillime të papritura. Dy prej të arrestuarve mbi moshën 70 vjeç patën gjendje të fikëti dhe dobësie, ç’ka ngjalli nevojën e thirrjes së një auto-ambulance për t’u ardhur në ndihmë. Në një tjerët moment gjykata lejoi të arrestuarën Mimoza Ndoka, motrën e ish-deputetit, Arben Ndoka, të largohej për pak minuta nga salla për të ushqyer me gji foshnjën e saj disa muajshe. Sipas burimeve, të gjithë të arrestuarit kanë mohuar akuzat, por ka pasur edhe prej tyre që kanë shigjetuar apo ironizuar prokurorët në sallën e gjyqit.
Kështu, i dyshuari Genc Zeneli u ka thënë prokurorëve se arrestimet i kishin realizuar bazuar në urdhra politikë. Më tej, ai ka pretenduar se në një prej akteve të sjella si provë në proces në lidhje me përfitimin e një toke në Lezhë ai figuronte si bashkëshort i një gruaje të cilën nuk e kishte asgjë. Nga ana e tyre, prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan lirim për katër persona, Mimoza Ndokën, për shkak të fëmijës së mitur dhe tre të arrestuarve mbi moshën 70 vjeç. Akuzat ngritura nga prokuroria u konsideruan si të pabaza dhe të montuara nga ana e avokatëve edhe jashtë sallës së gjyqit.
Në përfundim të seancës maratonë dhe njohjes më pretendimet e palëve gjyqtari Ndreca ndryshoi masën për 10 të arrestuar. Ai caktoi detyrim paraqitja për të arretuarën Mimoza Ndoka dhe Marjeta Peskura. Ndërsa u caktua “arrest shtëpia për 8 persona të tjerë, mes të cilëve tre të moshuarit mbi 70 vjeç.
Për të akuzuarit e tjerë u la e pandryshuar masa e sigurisë “arrest në burg”./abcnews.al
Në “arrest shtepie”:
Bledar Koçi
Lule Zeneli
Luigji Paloka
Kol Lleshi
Zef Ndoka
Vasil Nika
Genc Zeneli
Vlash Gazulli
Në “detyrim për paraqitje”:
Mimoza Ndoka
Marjeta Peskura