Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit, i cili ditën e sotme vrau bashkëshortin e saj Kudret Saliaj në një lokal para seancës së divorcit është arrestuar nga policia. Sipas bluve ajo konsiderohet si bashkëpunëtore e të atit në krimin e ndodhur ditën e sotme, ku mbeti i vrarë Kudret Saliaj si dhe u plagos avokati i tij.
Ndaj saj rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
“Vihet në pranga bashkëpunëtorja e autorit të vrasjes së shtetasit K. S. dhe të plagosjes së shtetasit A. C. Në vijim të informacionit të dhënë më parë për kapjen dhe arrestimin e autorit të ngjarjes, shtetasi Mexhit Picari, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në vazhdimësi të hetimeve të kryera nga grupi hetimor bënë të mundur arrestimin e shtetases: Dh. S., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shtetasi M. P., 53 vjeç, i arrestuar po sot nga Policia dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen DH. S, ( vajzën e tij) janë autorë e ngjarjes se ndodhur, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi K. S. (ish-bashkëshorti i shtetases Dh.S) dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, njofton policia.
33-vjeçarja ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpiak” pasi ishte arrestuar nga policia për dhunë në familje, konkretisht ndaj vjehrrës dhe tre fëmijëve që kishte me viktimën. Akuza për dhunë në drejtim të saj ishin ngritur edhe nga mbesa e viktimës, vajza e vëllait të Kudret Saliajt.
E gjithë skena e vrasjes sot u pa edhe nga djali adoleshent i çiftit i cili do të dëshmonte sot në seancë, në prani të një punonjësi social. Burime bëjnë me dije se të tre fëmijët kishin kërkuar të qëndronin me babain e tyre pas divorcit të prindërve. /mv.abcnews.al