Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e 12 korrikut të 2023 të Gjykatës së Apelit në Tiranë e cila dënoi me burg përjetë Mexhit Picarin, i akuzuar për vrasjen e dhëndrit të tij Kudret Saliaj.
Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli duhet ta rigjykojë çështjen me tjetër trupë gjykuese ndërsa vendimi vjen pas rekursit të viktimës së veprës penale avokatit Adriatik Cama që mbeti i plagosur në ngjarjen që ndodhi pranë Gjykatës Civile. Cama kërkonte dënimin për bashkëpunim vrasje edhe të Dhurata Saliajt, vajzës së Picarit njëherësh ish-bashkëshortes së viktimës Kudret Saliaj.
Apeli dënoi me burgim te përjetshëm Mexhit Picarin, ndërsa e bija, Dhurata Saliaj, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim. Kjo e fundit akuzohet për krijim të kushteve për të kryer vrasjen teksa u rrëzua akuza për bashkëpunim në vrasje.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e datës 4 qershorit 2021 në një lokal pranë Gjykatës Civile, në Tiranë, ku në atë kohë 53 vjeçari Mexhit Picari ekzekutoi bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj 41 vjeç, pak minuta para seancës së 5-të gjyqësore mes çiftit.
I plagosur, jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama që ndodhej në të njëjtën tavolinë. Hetimi tregoi se konflikti për kujdestarinë e 3 fëmijëve solli vrasjen ku mamaja do t’i takonte në prani të psikologes./abcnews.al



