Tre policët e arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4” dyshohet se ndihmonin trafikantë droge apo persona të kërkuar në aktivitetet e tyre kriminale. ABC News ka siguruar një kopje të dosjes gjyqësore, ku zbardhen rolet e tyre.
Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda ndaj 4 grupeve kriminale të goditura nga operacioni “Vol-Vo 4” ka futur në grackë edhe 3 punonjës policie. Ata kanë rënë pre e përgjimeve teksa mbanin kontakte me personat e dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës brenda dhe jashtë vendit.
ABC News ka siguruar një kopje të dosjes gjyqësore, ku zbardhen “mëkatet” e secilit prej policëve të arrestuar. Sipas prokurorisë, Bledar Koçi, efektiv i Policisë së Fierit ka ndihmuar shtetasin Hajri Seferi, i cili për prokurorinë ishte një “urë” lidhesë mes grupeve kriminale.
Në një bisedë të përgjuar në Korrik 2018 polici Koçi i tregon atij se i ka paguar disa gjoba të automjetit. Por nuk ishte vetëm kaq, pasi ai “shiste” punën e kolegëve të tij. Ka të dhëna, shprehet prokuroria, se personi në fjalë, duke pasur informacioin për shkak të detyrës, mban të informuar për lëvizjet e organeve hetimore Hajri Seferin dhe anëtarë të grupit të tij.
Kjo ndihmë ka kulmuar kur polici ka vënë në dijeni Seferin se në automjetin e tij policia kishte vendosur një pajise audio-lokalizuese GPS. Për këtë shkak mbi Bledar Koçin rëndojnë një sërë veprash penale, përfshi “grupi i strukturuar kriminal”.
Jo më pak i përfshirë në aktivitet kriminal, sipas prokurorisë, rezulton edhe polici i arrestuar Ardit Gjyriqi. Duke qenë punonjës në pikëkalimin kufitar të Morinës, ai ka bërë të mundur kalimin në kufi të personave me precedentë kriminale me apo pa të drejtë hyrjeje në territorin shqiptar. Ai është akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërsa polici tjetër i arrestuar, Jasin Abdul, efektiv në Sarandë akuzohet për “shpërdorim të detyrës”. Gjatë hetimit ai është përgjuar teksa komunikonte me disa persona që po përgatisnin një dërgesë droge drejt Greqisë. Sipas prokurorisë, ai komunikonte vazhdimisht dhe i informonte për lëvizjet e policisë./abcnews.al