Ish-kryeministri Berisha e cilësoi kolosale sasinë 5,2 tonë heroinë që sipas tij do përfitohej nga opiumi në laboratorin e drogës që u zbulua në Has. Ai theksoi se një sasi e tillë droge nuk mund të lëvizë pa një garantor të madh politik, ndërkohë që asnjë i tillë nuk është kapur, por janë arrestuar disa fshatarë. Duke folur në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili për megaoperacionin e ditëve të fundit, Berisha tha se aksionin në Has e dekonspiroi vetë policia. I pyetur nga gazetarët e panelit në studio, Berisha i njohu vlerën aksionit për zbulimin e laboratorit të drogës në Has, por falenderoi vetëm palën gjermane për këtë operacion.
Për ish-kryeministrin Berisha operacioni i fundit i cilësuar i suksesshëm nga policia është dekonspiruar nga vetë uniformat blu.
Ish-kryeministri komentoi edhe arrestimet e disa pjesëtarëve të familjes Avdylaj ne Shijak. Sipas tij, Avdylajt kishin mbrojtjen politike të Ramës dhe Dakos, por operacioni u diktua nga ndërkombëtarët.
Berisha tregoi dhe një foto që, sipas tij, fakton lidhjet e Avdylajve me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe kryeministrin Edi Rama. Ne foton që tregoi, Berisha shpjegoi se ishte Rama me një prej Avdulajve gjatë fushatës së fundit elektorale. Sipas Berishës, ka dhe foto e video të tjera të Ramës dhe Dakos me Avdylët.
Berisha tha se klani “Avdyli” është angazhuar fuqimisht në zgjedhje për të mbledhur vota për Vangjush Dakon dhe për PS.
Avdylajt e Shijakut, sipas ish-kryeministrit, përkrahen nga Vangjush Dako në biznesin e tyre dhe për këtë solli shembull një investim në bregdetin e Currilave./abcnews.al