Emri i Granit Xhakës është lidhur me Romën. Jose Mourinho do të nisë nga puna me ekipin verdhekuq në korrik dhe mesfushori shqiptar është një nga dëshirat e tij kryesore.
“Është lojtari më i rëndësishëm i mesfushës së Arsenalit. Ata janë të humbur pa të, Graniti është një lider i vërtetë“, shprehej trajneri portugez dy vite më parë.
Arsenali kërkon 25 milion euro për ta lënë të lirë lojtarin e kombëtares zvicerane, ndërsa oferta e klubit italian shkon deri në 15 milion euro. Në lidhje me interesimin nga Serie A ka reaguar vetë Xhaka.
“Kam lexuar mbi interesimin e Romës, një gjë e tillë më mbush me krenari. Të gjithë e njohin Mourinhon dhe e dinë se çfarë ka arritur të bëjë në karrierën e tij.
Po flasim për dikë që e di mirë si fitohen trofetë, mjafton të shohësh punën që ka bërë në vitet e fundit“, deklaron Xhaka, i cili do të ketë shok skuadra Marash Kumbullën nëse arrihet akordi për kalimin në Itali. /abcnews.al