Transportonin 22 emigrantë të paligjshëm, 3 të arrestuar e një kërkim në Korçë

schedule11:36 - 30 Maj, 2021

schedule 11:36 - 30 Maj, 2021

Tre persona janë arrestuar në Korçë e një është shpallur në kërkim pasi po transportonin 22 emigrantë të paligjshëm. Mësohet se në vijim të operacionit  “Perimetri”, u goditën dy raste të tjera të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit.

Kështu, në pranga u vunë E. Z., 39 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq; E. T., 19 vjeç, banues në Tiranë; A. T., 40 vjeç, banues në Bulqizë dhe u shpall në kërkim A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Po ashtu, policia ndaloi në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Grabovicë, Pogradec,  E. Z., duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz”, 16 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Dyshohet se edhe E. T. dhe A. T., janë bashkëpunëtorët e 39-vjeçarit në këtë veprimtari pasi u kapën me mjetin tip “Audi”, duke kryer mbikëqyrjen e rrugës.

Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, është ndaluar mjeti tip “Opel”, me drejtues A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, të cilit shërbimet e policisë gjatë ndjekjes, i kanë bërë me shenjë të ndalonte.

Por, i riu u largua me shpejtësi duke mos iu bindur urdhrit të tyre dhe braktisi mjetin, me 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro secili, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Po punohet për kapjen e tij. /abcnews.al/