Skënderbeu do të lerë prapa problemet me pagesat dhe do të mendojë vetëm për fitoren ndaj Kamzës në Superligë. Trajneri Shehi ndihet i kënaqur për kthimin e tifozëve.
Si fillim, u ndërpre kampionati në momentin më të mirë. Më pas, erdhi një javë e vështirë deri me bojkotim të stërvitjes nga skuadra, e shqetësuar për vonesën e pagave. Gjithsesi, tek Skënderbeu duket se do ta përballojnë situatën dhe trajneri Shehi u përgjigj kështu pyetjes së parë, që kishte lidhje pikërisht për rrogat.
“Unë mendoj që çdo gjë është ezauruar. Rëndësi ka që çdo gjë është mirë dhe në vendin e duhur”, tha Shehi.
Duke kaluar në aspektin sportiv, si e gjykon dhe çfarë pret Shehi nga ndeshja e fundjavës ndaj Kamzës në Superligë?
“Ndeshje e vështirë për shkak të pozicionit ku ndodhemi në fazën që ka hyrë kampionati. Është një ndeshje e rëndësishme dhe do vlerësim maksimal. Jemi të përqëndruar për të dhënë maksimumin tonë”, u shpreh ish-lojtari i Skënderbeut.
Trajneri është i lumtur jo vetëm për gjendjen e ekipit, por edhe për një fakt tjetër.
“Ndoshta kemi luajtur më mirë jashtë për faktin që kemi qenë pa tifozë në shtëpi dhe dihet që të luash pa tifozë është një mungesë e madhe. Kështu që me ptraninë e tifozëve shprehemi ndryshe”, tha trajneri i Skënderbeut.
Shehi nuk dëshiron të mendojë për Partizanin apo për objektivat e sezonit, por pret që Skënderbeu të përqëndrohet tek ndeshja e radhës.
Në renditje, kampionët janë në vend të dytë me 17 pikë, vetëm 2 më pak se Partizani.