Qytetarët kroatë kanë mbushur rrugët për të protestuar kundër reformës së pensioneve, që parashikon mes të tjerash rritjen e moshës. Manifestuesit kanë akuzuar qeverinë se po varfëron dhe grabit klasën punëtore.
Disa mijëra njerëz kanë protestuar të shtunën në Zagreb të Kroacisë kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit dhe për të shkurtuar pensionin për ata që tërhiqen më herët.
Këtë javë, qeveria kroate i kërkoi Parlamentit të miratojë ligjin që e ngre moshën e pensionit me 2 vjet, nga 65 në 67, me argumentin për ta bërë sistemin e pensioneve më të qëndrueshëm. Projekt/ligji përfshin gjithashtu propozimin për reduktimin e pensioneve për ata që tërhiqen më herët me 4 për qind në vit.
Protestuesit janë shprehur të hidhëruar dhe të acaruar duke e konsideruar propozimin e qeverisë si të papërgjegjshëm. Disa prej tyre i kanë quajtur qeveritarët hajdutë dhe i kanë akuzuar se po varfërojnë klasën punëtore.
“Nga shkolla në papunësi, nga puna në varr”, ka qenë një prej parullave të ngritura.
Protestuesit kanë qenë kryesisht punëtorë të industrisë metalike, infermierisë dhe profesioneve të tjera dhe kanë deklaruar njëzëri se nuk mund të punojnë deri në moshën 67-vjeçare.
Ndërkohë, krerët e sindikatave kanë deklaruar se ligji i ri do të dëmtojë veçanërisht punëtorët e vjetër në moshë, të cilët shpesh herë ndodhen nën presion për t’u tërhequr për shkak të problemeve shëndetësore, ose sepse punëdhënësit duan të ndërrojnë stafin.
Sindikatat kanë paralajmëruar se do të nisin një fushatë për referendum kombëtar në lidhje me reformën e pensioneve nëse qeveria refuzon të dëgjojë kërkesat e tyre dhe miraton planin./abcnews.al