Kreu i shtetit shqiptar, presidenti ilir Meta ka reaguar ne lidhje me votimin e mbrëmshëm në parlamentin e Maqedonisë. Në një mesazh të bërë publik në rrjetet sociale, Meta shkruan se Votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm, shprese e besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur.
Kreu i shtetit përgëzoi qeverinë e Kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disa vjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë.
Edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar menjëherë pas këtij votimi që i hapi udhë ndryshimeve kushtetuese, për të proceduar më pas me miratimin e ndryshimit të emrit në Republikën e Maqedonisë Veriore. Në një postim në rrjetin social Twitter, Rama uroi për “lindjen” e kësaj republike të re si dhe kryeministrin Zoran Zaev dhe të gjithë ata që punuan për të arritur këtë sukses.
“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi kreu i ekzekutivit shqiptar në Twitter./abcnews.al

