Redi Shehu në Provokacija: Bashkimi Kombëtar, i domosdoshëm

schedule22:00 - 19 Tetor, 2018

schedule 22:00 - 19 Tetor, 2018

Çështja e Kosovës ka vijuar edhe me të ftuarin e tretë në emisionin e sotëm në Provokacija. Drejtor i Institutit Medius, Redi Shehu e ka konsideruar të domosdoshëm bashkimin kombëtar për të çuar në normalitet një jetë etnike anormale të ndarë padrejtësisht nga Konferenca e Londrës.

“Së pari unë mendoj që pas Konferencës së Londrës territori shqiptar (se preferoj ta quaj andej- këndej kufiri, duke dhënë idenë e homogjenizimit), u aplikua një ekuacion i gabuar gjeopolitik dhe ky ekuacion i gabuar që pasqyrohet në ndarje të padrejta administrative ka shkaktuar dhe do shkaktojë konflikt. Bashkimi i Shqipërisë mes Kosovës është një ndër elemtet kryesorë të ekuacionit në vendin e duhur. Nëse Ballkani nuk është konfiguruar si duhet do prodhojë konflikt e mosmarrëveshje në rajon të tipit etnik, kulturor”.

Shehu e konsideron një lajm të gëzueshëm nëse hiqet kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi optimizon fuqinë vepruese si komb.

“Po unë besoj që është i gëzueshëm për disa arsye. Për të çuar ekuacionin në vend,  për të çuar në normalitet një jetë anormale në terma etinikë, politikë, kulturorë edhe ushtarakë, një popullsi e jona që u nda atëherë, një kthim që optimizon fuqinë vepruese si komb, por në energi të konverguara brenda një territori dhe homogjeniteti”- theksoi ai.

I pyetur nga Nano nëse bashkimi kombëtar mund të prishë disa balanca, që do duan kohën e vet të stabilizohen, Shehu theksoi se nuk duhet të nxitohemi, por as të presim pa fund.

“Unë nuk jam për një nxitim, por dhe një pritje e pafund nuk ka sens. Në këto 3 dekada ne arritëm të njohim njëri- tjetrin. Nëse ne do presim gjatë disa elementë ndarës mund të lulëzojnë më shumë se elementët bashkues”. /abcnews.al