Shkoi i plagosur në spital dhe gënjeu mjekët dhe policinë, arrestohet 39-vjeçari në Vlorë

schedule10:34 - 27 Maj, 2021

schedule 10:34 - 27 Maj, 2021

Ergys Likaj, 39-vjeçari i cili u paraqit mbrëmjen e djeshme në spitalin e Vlorës i plagosur me armë zjarri është arrestuar nga policia, pasi ka bërë deklarim të rremë duke thënë se është vetëplagosur aksidentalisht. Në pranga për të njëjtën vepër penale është vënë edhe K. Xh., 46 vjeç banues në Vlorë. Tashmë blutë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku në spitalin e Vlorës u paraqit për ndihmë mjekësore, shtetasi E. L., 39 vjeç, dyshohet i plagosur me armë zjarri, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. L., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe K. Xh., 46 vjeç banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia.

Mbrëmjen e djeshme Ergys Likaj u qëllua disa herë me plumba në pjesën e këmbëve duke mbetur i plagosur. Vlonjati u paraqit vetë në spital rreth orës 19:55 dhe deklaroi se “u vetëplagosa aksidentalisht”. Dyshimet bënë që spitali të njoftonte policinë. Hetuesit nisur nga konstatimi, por edhe dëshmitë kontradiktore përjashtuan pistën aksidentale duke nisur hetimet për plagosje. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!