“Arritëm objektivin”, Duro: Sherrin nuk e futa se është shkodran, vetëm Laçi e Vllaznia pa aleanca

schedule20:56 - 26 Maj, 2021

schedule 20:56 - 26 Maj, 2021

Laçi humbi sot ndaj Vllaznisë me shifrat 0-2 dhe e mbylli kampionatin në vendin e katërt, duke siguruar një vend në Conference League. Pas ndeshjes për mediet e pranishme në “Loro Boriçi” foli trajneri i kurbinasve, Shpëtim Duro.

“Për kuriozitet, është humbja e parë në fazën e katërt që bën skuadra e Laçit. Janë dy gola të pësuar pas shtatë ndeshjesh. Kemi qenë mirë gjatë gjithë fazës, por e kam thënë që kampionati për ne përfundoi në ndeshjen me Teutën.

Aty kishin shansin për të fituar dhe për t’u shpallur kampionë. Sot është Vllaznia që ishte më e motivuar dhe kishte pak shanse më shumë se ne, në raport me ndeshjen e Teutës. Ne objektivin e kemi arritur.

Jam krenar për skuadrën, kemi arritur në Kupat e Europës dhe kemi qenë deri në fund pretendentë për titullin kampion, bashkë me Vllazninë, Teutën dhe Partizanin.

Kampionat i ndershëm? ‘Fair-play”, e them me bindje që ka qenë vetëm Laçi, që i mori çdo gjë me meritë e sakrificë, por edhe Vllaznia. Ka ndeshje që kanë pasur probleme, sidomos në fazën e tretë dhe të katërt.

Të tjerët kanë toleruar, e marrim vesh sepse jemi në Shqipëri, dimë çdo gjë, por them që ne kemi marrë çdo gjë me djersë dhe sakrificë. E kam thënë që të katërta skuadrat e meritonin titullin, ndahej me një gol.

Përderisa e kemi çuar kampionatin deri në javën e fundit, çdo skuadër që do e fitonte kampionatin, do e meritonte. Sherri? Sinqerisht e them, nuk ka qenë zgjidhje teknike. Ka bërë një paraqitje të mirë, jemi gëzuar shumë që është thirrur nga kombëtarja.

Nuk e kam aktivizuar sot vetëm meqë ishte shkodran, sinqerisht e them. Vetëm për ta larguar nga presioni, është një djalë shumë i mirë. Kjo ka qenë arsyeja, mund t’i ndodhte një gabim pa dashje, do rëndohej shumë nga ana psikologjike.

Është ndeshja e parë me tifozë shumë. Nuk ka gjë më të bukur me tifozë, por kam një vërejtje në raport me organet kompetente. Erdhën 2-3 mijë veta në stadium, ishte diçka shumë e bukur, por ky standard duhet të jetë çdo ndeshje.

Po sikur të kishte 2-3 mijë veta në ndeshjen me Teutën në stadiumin e Laçit? Standardet çohen deri në fund. Para pesë ditësh unë luaj me Teutën me 40 veta në stadium, sot vij luaj me Vllazninë, ndeshje vendimtare, pavarësisht se ne nuk kishim objektiva, me 3 mijë vetë në stadium. 

Nuk e kam me Vllazninë, as me tifozët, pasi ku ta gjesh më bukur, por ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, deklaroi trajneri i skuadrës kurbinase. /abcneës.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!