Kur kanë kaluar më shumë se 5 orë nga nisja e rinumërimit për 108 kuti votimi të qarkut Durrës në ambientet e KAS, LSI ka arritur të fitojë vetëm dy vota nga 136 që i duhen në mënyrë që Elona Guri e para e LSI në Durrës të marrë një mandat.
Gazetarja e ABC Esiona Konomi raporton për ABC se deri më tani janë numëruar 56 nga 108 kuti ndërsa LSI ka marrë 2 vota të cilat ishin konsideruar të pavlefshme. Ndërkohë PD ka humbur 7 vota nga rinumërimi, ndërsa PS ka arritur të ruajë të njëjtën kuotë me numra të papërfillshëm.
Numërimi ka nisur prej orës 10:00 në 8 tavolina me 8 grupe të ndryshme numërimi, të cilët janë pjesë e administratës së KQZ. Në sallë, janë vëzhguesit e PD , PS dhe LSI. Në rast se ata do të hasin parregullsi gjatë rinumërimit, sipas procedurës duhet të ngrenë dorën për të kërkuar nga KAS të monitorojë procesin. /mv.abcnews.al