“Do luhet me tifozët”, reagon Vllaznia: Zëra të pavërtetë, urojmë të lejohen në Kupë

schedule22:37 - 25 Maj, 2021

schedule 22:37 - 25 Maj, 2021

Shkodra po jeton me futbollin këto ditë. Vllaznia ndan vendin e parë me Teutën dhe nesër luhen ndeshjen e fundit. Shkodranët duhet të mposhtin Laçin, por nuk mjafton vetëm kaq. Diferenca e golave duhet të jetë “+1” në krahasim me rezultatin e Teutës, gjithmonë nëse këta të fundit e mundin Apoloninë.

Tifozët kuqeblu e ëndërrojnë titullin kampion, që për herë të fundit e kanë fituar në vitin 2001. Në qytetin verior ka pasur zëra se fansat mund të lejohen në stadium, çka ka bërë që Vllaznia të dalë me një reagim dhe t’i sqarojë ata.

“KF Vllaznia ju bën të ditur të gjithë tifozëve të saj se pavarësisht zërave që kanë qarkulluar ditët e fundit, stadiumet shqiptare vazhdojnë të jenë të mbyllura si rrjedhojë e rregullave të vendosura nga institucionet shtetërore për shkak të situatës së krijuar nga covid-19.

Për këtë arsye, edhe në ndeshjen e nesërme, atë ndaj Laçit që është e fundit e këtij kampionati, prania e tifozëve në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” është sërish e pamundur.

Mbetemi me shpresë që të paktën në ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, të kemi një numër tifozësh në shkallët e stadiumit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës”, shkruhet në reagimin e klubit të Vllaznisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!