Maxhoranca në Maqedoni thotë se është më pranë një pakti me opozitën për ndryshimet kushtetuese që kërkohen në bazë të impolementimit të marrëveshjes së Prespës. Por nga ana tjetër, lideri i opozitës thotë se ky akord ka vdekur.
Lidhja Socialdemokrate në Maqedoni beson se është më afër marrëveshjes me deputetët opozitar se sa zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Koalicioni socialdemokrat i bëri thirrje kolegëve opozitarë që të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe të marrin pjesë në hartimin e amendamenteve. “Fokusohemi në ndryshimet kushtetuese dhe nuk shohim plan B”, thuhet në një njoftim të maxhorancës.
Ndërsa nga ana tjetër, Kreu i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni nuk i lë shpresa qeverisë së Zoran Zaevit se do ta mbështesë në Parlament për ndryshimet kushtetuese. “Marrëveshja e Prespës ka vdekur”, tha për Deutsche Welle lideri i VMRO-DPMNE-së, duke treguar qartë se forca politike që drejton nuk do ta përkrahë paktin historik të emrit me Greqinë, që do t’i hapte vendit rrugën e integrimit në NATO e BE.
Debati në Parlament për ta aprovuar ose jo këtë marrëveshje do të vijëj dhe për disa ditë. Zaev po përpiqet që të arrijë shumicën e nevojshme të dy të tretave, por nuk i ka votat dhe i duhet të bindë të paktën 10 deputetë opozitarë që t’i japin paktit dritën jeshile. Mickoskin dhe partinë e tij nuk i lëkundi as letra personale e asistentit të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel, i cili përcillte zhgënjimin e Uashingtonit me pozicionet e lidershipit të VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe hapat në Parlament për të ndryshuar kushtetutën./abcnews.al