Sot afati i fundit për tu paraqitur në Komisionin hetimor, Meta i përgjigjet Kuvendit: Nuk keni legjitimitet

schedule12:08 - 24 Maj, 2021

schedule 12:08 - 24 Maj, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur letrës së Komisionit Hetimor që e kërkoi në seancë dëgjimore.

Meta në letrën e tij drejtuar Komisionit hetimor thekson se ai e humbi këtë mundësi pasi nëse do të donte që të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

Ndër të tjera Meta thekson se me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim.

Kreu i Shtetit thekson se nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Përgjigja e presidentit Meta:

Pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021, e Kuvendit, me anë të së cilës përcillet shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021 e nënshkruar nga deputeti Alket Hyseni, cilësuar nën atributet e Kryetarit të Komisionit Hetimor me emërtimin “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, me lëndë “Thirrje për seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor”.

Në këtë shkresë, veç të tjerave, kërkohet prania e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në seancën dëgjimore në datën 24.5.2021, ora 12:00, para strukturës të emërtuar si “Komisioni Hetimor”.

Ky njoftim, ashtu si gjithë praktika e dërguar deri më tani në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës, është një përpjekje e rradhës e Kuvendit, për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe ligjin.

Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.

Lidhur me këtë lloj njoftimi të përsëritur nga ana juaj, Presidenti e ka shprehur qartë vullnetin dhe qëndrimin e tij në shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.

Kjo letër dhe ky vullnet i Presidentit të Republikës ju është përcjellë tashmë dy herë. Së fundmi dhe me shkresën me nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë në po të njëjtën datë, në orën 14:30.

Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën.

Mjafton këtu vetëm të përmendim faktin se, pa pritur ende përgjigjen e Institucionit të Presidentit të Republikës për shkresën tuaj me nr. prot. 1081/32, datë 18.05.2021, (përgjigjen e së cilës e ka marrë me shkresën nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, administruar nga Kuvendi në orën 14:30), Kuvendi ka përcjellë përmes shkresës nr. 1081/36 prot, datë 21.05.2021, Kuvendi përsërit të njëjtën kërkesë për të cilën tashmë kishte marrë përgjigje.

Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Presidenti i Republikës, ripërsërit edhe një herë thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit  të mandatit, duhet ta ushtrojë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik.

Sa më sipër me porosi të Presidentit të Republikës, po jua ridërgojmë edhe një herë bashkëlidhur shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021./abcnews.al