Dinamo ia doli të rikthehet në Superiore pas nëntë viteve vuajtje në Kategorinë e Parë. Sezonin e ardhshëm do të përballen sërish me skuadrat më të fort. Olsi Uku mori drejtimin e ekipit në mars, zhvilloi një punë shumë të mirë dhe ka kontributin e tij për arritjen e objektivit.
32-vjeçari dha dorëheqjen ditën e shtunë. “Kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë këtij sezoni, falënderoj gjithë djemtë që kanë dhënë maksimumin. Qëndrimi e Dinamos në Superiore nuk do jetë diçka kalimtare, do qëndrojë për shumë vite aty.
Mund t’ju them se nuk do jem në krye të stolit të Dinamos sezonin e ardhshëm. Jap dorëheqjen si trajner i ekipit. Është një vendim personal. Është një projekt i mirë ky që është nisur dhe do ketë vazhdimësi me drejtuesit e rinj“, u shpreh Uku.
Klubi kryeqytetas ka pranuar vendimin e trajnerit, të cilin e falënderon me anë të një postimi në faqen zyrtare. “Futboll Klub Dinamo njofton se ka pranuar dorëheqjen e trajnerit Olsi Uku. Klubi është mirënjohës dhe falënderues për punën e realizuar, korrektësinë e treguar dhe vullnetin e madh për të arritur së bashku objektivin madhor, rikthimin në Superiore.
Falënderime për Olsin dhe urojmë suksese të mëtejshme në një karrierë të sapo nisur me shumë sukses!“, lexohet në komunikatën zyrtare të 18 herë kampionëve të Shqipërisë. /abcnews.al