INSTAT: Covid-19, i katërti për humbjet e jetëve në 2020

schedule16:18 - 21 Maj, 2021

schedule 16:18 - 21 Maj, 2021

27 mijë e 605 persona  humbën jetën në Shqipëri në 2020-ën ose rreth 25.8% më shumë se  një vit para. Më tepër ishin meshkuj sesa femra ndërsa shkaqet në pjesën më të madhe cilësohen natyrale.

Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave  i cili në  ka publikuar  raportin e fundit ku  vdekjet  analizohen  sipas sëmundshmërisë. Vjet më shumë se gjysma e personave ose 52.2% sipas INSTAT  kanë humbur jetën nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Problemet kronike të zemrës, ato të enëve të trurit dhe ishemitë që bëjnë pjesë në këtë grup sëmundjesh u rritën me 23. 2% krahasuar më 2019-ën. Simptomat, shenjat dhe sëmundjet e papërcaktuar mirë  janë shkaku i dytë i vdekjeve në Shqipëri në vitin 2020 me 17% të rasteve.

Prej tyre vihet re një rritje e humbjeve të jetëve me 24.6% krahasuar me vitin paraardhës. 90% të rasteve sipas INSTAT i përkasin moshës mbi 70 vjeç dhe shkak specifik cilësohet “vdekja nga pleqëria”.

Tumoret zënë 13%  të vdekjeve ndërsa sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes ku bën pjesë dhe Covid 19 zënë 8.9% të humbjeve të jetëve.

Ky i fundit mban vendin e katërt në raportin e INSTAT si shkaku i vdekjeve një vit më parë ndonëse humbjet e jetëve prej sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes rezultojnë  4.5 herë më të larta se në vitin 2019.

Numri më i lartë i vdekjeve për 100 mijë banorë vitin që mbyllëm është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës ndërsa më I ulëti në atë të Tiranës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!