“Babalja”, Florenc Hoxha e pranon në Prokurori: Unë e bëra video-përgjimin

schedule10:55 - 17 Tetor, 2018

schedule 10:55 - 17 Tetor, 2018

Ish-drejtuesi i Policisë Bashkiake të kryeqytetit, Florenc Hoxha, ka pranuar te jetë autor i video-përgjimit të Fredi Alizotit, imituesit të zërit të Agron Xhafajt. Hoxha ishte në Prokurorinë për Krimet e Rënda ku për 2 orë e 45 minuta dha shpjegime në lidhje me këtë video para prokurorëve të çështjes “Babalja”.

Ish-drejtuesi i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, ishte të mërkurën në Prokurinë për Krimet e Rënda, ku pranoi të jetë autor i video-përgjimit të bisedën me Fredi Alizotin, i dyshuar si aktruesi i zërit të Agron Xhafajt. Hoxha mbërriti tek Krimet në orën 09:30 për të dhënë llogari para prokurorëve që po hetojnë dosjen “Babalja”. Qëllimi i thirrjes ishte sqarimi i disa dyshimeve të ngritura pas publikimit të një videoje të dytë disa ditë më parë  nga deputeti Ervin Salianji në studion e “Opinion” në “TV Klan”. Në këtë video Fredi Alizoti pretendonte se ishte shoqëruar nga Fieri në Tiranë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Për 2 orë e 45 minuta Florenc Hoxha iu përgjigj të gjitha pyetjeve të njerëzve të hetimit. Burime të rezervuara bënë me dije se ish-shefi i Policisë Bashkiake ka pranuar autorësinë e videos. Para prokurorëve të çështjes ai ka pohuar se ishte Alizoti ai që i kishte kërkuar ta takonte. Sipas tij, duke pasur dyshime se Alizoti i ishte vetë-ofruar kishte vendosur ta regjistronte bisedën. Po sipas tij, mjeti i përdorur ishte një orë dore me kamera.

Në përfundim të seancës së dhënies së deklarimeve Hoxha zgjodhi të mos zbardhë asnjë detaj për median. Florenc Hoxha u listua në personat që do të pyeteshin për hetimin e çështjes “Babalja”, pasi emri i tij u përmend para prokurorëve në deklarimet e Fredi Alizotit dhe të deputetit demokrat, Ervin Salianji. Alizoti identifikoi atë si bashkëbiseduesin në bisedën e regjistruar, ndërsa deputeti Salianji rrëferu se video-përgjimi ishte lënë në recepsionin e selisë së PD nga ish-kreu i Policisë Bashkiake. Të martën për llogari të hetimit u mor në pyetje kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ndërsa në ditët në vijim pritet të merret në pyetje edhe drejtuesi i Policisë së Fierit./abcnews.al