PSG nuk mund ta mbyllte sezonin pa një trofe. Ekipi i Mauricio Pochettinos mposhti 2-0 Monacon dhe fitoi Kupën e Francës për herë të 14-të (rekord). Kylian Mbappe shënoi një nga golat e fitores mbrëmjen e kaluar.
Ylli i sulmit të PSG-së, flet për France 2 rreth suksesit në Kupë dhe ndalet tek e ardhmja e tij. Kontrata i përfundon në verën e vitit të ardhshëm, 22-vjeçari është gati të rinovojë me një tjetër vit, por me kushtin për t’u shitur verën e ardhshme.
“Punojmë çdo ditë për të shijuar këto emocione dhe për të marrë këto vlerësime. Kjo Kupë është fryt i punës së gjithë grupit të lojtarëve dhe stafit tonë teknik. Ia dedikojmë tifozëve që nuk mundën të merrnin pjesë në stadium.
Kur je pjesë e PSG-së, që është një nga klubet më të mëdha në botë dhe më i madhi në Francë, çdo titull vlen për t’u bërë pjesë e historisë. Ne duam të jemi pjesë e kësaj historie. E ardhmja? Më lini të shijoj këtë fitore.
Ndihem personi më i lumtur, kjo është gjëja që ka më rëndësi se gjithçka tjetër“, përfundoi sulmuesi i skuadrës së Pochettinos, i cili shpreson të luajë me Real Madrid në të ardhmen. /abcnews.al