Zgjedhjet në Gjermani, një mesazh i qartë për Europën e Juncker

schedule18:40 - 15 Tetor, 2018

schedule 18:40 - 15 Tetor, 2018

Edhe pse një humbje e paralajmëruar nga shumë sondazhe paraprake, koalicioni i gjerë i kancelares gjermane Merkel, u godit keq nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Bavari. Por për analistët ky rezultat është dhe një mesazh i qartë për Europën e Zhan Klod Juncker.

Bavaria është rajoni i dytë më i pasur në Gjermani me të ardhura që tejkalojnë ato të Greqisë dhe Portugalisë së bashku. Meritë kjo e politikave të ndjekura deri tani, nga partitë të cilat kishin ndërtuar një sistem ku ekonomia dhe shoqëria, industria dhe bankat, katolicizmi, tradita dhe progresi bashkëjetonin në harmoni.

Në këtë mënyrë Bavaria ka mbetur e paprekur nga krizat e shumta ekonomike që kanë goditur europën nga viti 1945 deri tani. Por tashmë partitë që kanë ndërtuar këtë model, janë plagosur dhe gati për të dalë nga skena.

Edhe pse nuk ëshët hera e parë që CSU humbet mazhorancën absolute, është e paprecedentë që kjo të ndodhë për shkak të rënies së të djathtës. Dhe pjesa më e madhe e elektoratit të saj ka shkuar për ekstremistët e Alternativës për Gjermaninë si dhe për votuesit e lirë.

Fituesit e zgjedhjeve të së dielës në Bavari janë të gjelbërit dhe e djathta konservatore eurokritike. Analistët konstatojnë se votuesit e socialistëve po zhvendosen masivisht tek forcat ekologjike.
Më shumë se një e majtë e re, të gjelbërit duken një parti e qendrës dhe aspak socialistë në ekonomi.

Por dhe rezultati i marrë nga Votuesit e lirë, shumë pranë ekstremistëve të AFD-së, tregon impaktin e një vote që nuk mund të cilësohet si votë proteste. Forcat politike neo nacionaliste janë aty për të qëndruar dhe për tu rritur.

Ajo e së dielës ishte një tjetër votë kundër rendit politik të vendosur prej dekadash: pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2016-s, atyre në Francë në 2017-n, e në Itali këtë vit, tashmë e ka rradhën Bavaria e ndoshta dhe gjithë Gjermania.

Zgjedhësit gjermanë të pakënaqur nga qeverisja e koalicionit të gjerë të Angela Merkel po braktisin këto parti. Një situatë të cilën Merkel e ka të vështirë ta menaxhojë. Por Merkel nuk do të rërzohet edhe pse është shumë e kritikuar nga drejtuesit e CDU, asnjë kancelar në Gjermani nuk është tradhëtuar nga partia e tij.

Por dhe SPD nuk do të tregohet vetëvrasëse duke dalë tani nga qeveria. Por është vështirë të parashikohet një jetëgjatësi e koalicionit të gjerë në Berlin nëse zgjedhjet europiae në maj të vitit të ardhshëm do të konfirmonin rënien e socialistëve. Komisioni i Bashkimit Europian dhe presidenti i tij Zhan Klod Junker, në Luksemburg me partinë e tij që shënoi një rënie historike tashmë konsiderohen si pjesë e të kaluarës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!