Ded Nimani ka deklaruar sot se kokainën me të cilën u kap e shiste për të siguruar jetesën, “në pamundësi të çdo lloj mënyre tjetër.” Në dëshminë e siguruar nga Abcnews.al Nimani thotë se personat që ndodheshin me të, efektivi i RENEA-s Xhujlo Liçi dhe Luan Gaci nuk kishin dijeni se në pako ndodhej lënde narkotike.
Nimani tregoi se ku e siguroi drogën dhe veprimet që ndoqi më pas derisa e arrestuan.
“….Pasi jam interesuar kam mësuar se në zonën e Plepave në Durrës është një person që shet drogë. Kam marrë si taksi një të njohurin tim që quhet Luan, të cilit nuk i kam treguar arsyen e vërtetë, dhe së bashku shkuam deri në Plepa. Nuk desha qe ai të dinte se ku e marr drogën dhe as kë takoj, për këtë arsye i kam thënë luanit nisu dhe më prit rrugës së Ndroqit.”
Më tej, ai tregon se pasi bleu sasinë e drogës, eci një farë kohe në këmbë dhe pastaj i ka bërë me shenjë një makinë e cila ndaloi. Automjeti në fjalë drejtohej nga efektivi Xhujlo Liçi.
Megjithatë, Nimani thotë se shoferin nuk e njihte e se madje as emrin nuk ia mësoi dot.
“Kam hipur në këtë makinë, pakon e drogës e vura në bagazh se kisha frikë se bie erë dhe nuk desha që shoferi i makinës të kishte dyshime. Në rrugë kam parë makinën e Luanit të ndaluar dhe i thashë këtij shoferit të rastit të ndalonte aty, se deri në Tiranë do të vija me Luanin.”
Në këtë moment, pasi “shoferi i rastit” doli të hapte bagazhin e t’i jepte pakon “pa e ditur se çfarë ishte”, ndërhyn policia dhe i arreston të tre.
Ded Nimani u shpreh se Luani dhe efektivi i RENEA-s nuk kanë pasur dijeni për lëndën narkotike.
“Gjithë përgjegjësia është imja dhe u kërkon ndjesë Luanit dhe këtij shoferit që ndaloi të më bënte nder për situatën e krijuar. Kërkoj edhe mëshirën edhe të organit të procedurës por e kam bërë sa më sipër nisur nga vështirësitë ekonomike dhe shëndetësore të familjes sime.”
Kujtojmë se Nimani, Liçi dhe Gaci u arrestuan nga anti-droga më 14 maj me pakon e kokainës në bagazh, ndërsa Ded Nimani kishte më pak se një vit që kishte dalë nga burgu i dënuar për drogë. sb/abcnews.al/