Partizani luan finalen e sezonit sot. Në Durrës do të përballet me Teutën kryesuese (17:00), sfidë ku vlen vetëm fitorja për të marshuar drejt titullit kampion. Një sfidë e vështirë dhe shumë e rëndësishme për skuadrën e Ilir Dajës.
Tifozët presin fitoren, teksa Guerrils, grupimi ultras që mbështet Partizanin, ka vendosur të karikojë lojtarët e skuadrës së tyre të zemrës me një postim në faqen zyrtare në Facebook.
“Sezoni më i vështirë meriton të ketë fundin më të bukur. Sot është dita ku luhet gjithçka për gjithçka! Është vetëm një ndeshje, ku duhet vetëm një rezultat, dhe për ta arritur ka vetëm një rrugë.
Është rruga e suksesit, e lavdisë dhe historisë së klubit te kuq, e ndërtuar fort ndër vite me talent punë e sakrifica, e forcuar me trofe dhe e mbështjellë nga dashuria pa kushte e tifozerisë së kuqe ndër breza.
Këtë rrugë mund ta merrni vetëm ju, duke luftuar fort për ta lënë edhe ju shenjën tuaj në të, dhe duke u përjetësuar mes kampionëve të ekipit legjendë. Forca çuna, luftoni fort, në çdo top, në çdo sekondë, vetëm për fitore!“, lexohet në postimin motivues të Guerrils. /abcnews.al