Tani nuk ka më dyshime. Hans-Dieter Flick do të jetë trajneri i ardhshëm i Gjermanisë. Timonieri i Bayern Munchen do të zëvendësojë Joachim Low pas përfundimit të Euro 2020, me synimin për të ndërtuar një kombëtare edhe më të fortë se “mësuesi” i tij.
Ditët e fundit është përfolur edhe për një interesim të Barcelonës, por 56-vjeçari e ka ndarë mendjen rreth së ardhmes së tij. Gjatë konferencës për shtypin përpara takimit në transfertë kundër Freiburg, Flick ka pranuar se bisedimet me drejtuesit e Federatës (DFB) po shkojnë mirë.
“Unë gjithmonë jam shprehur që nuk ndjej asnjë lloj presioni. Bierhoff (Drejtori i Përgjithshëm i kombëtares gjermane) e theksoi disa ditë më parë që tratativat po ecin mbarë. Por unë ende kam një detyre dhe një punë për të mbaruar këtu ku jam.
Bayern Munchen është shumë i rëndësishëm për mua, jam shumë mirënjohës që kam drejtuar një skuadër të tillë, ky është shkaku pse jam totalisht i përqendruar te ndeshjet që kanë mbetur. Duam të kapim 80 pikë dhe të ndihmojmë Lewandowskin për të shënuar mbi 40 gola“, theksoi Flick.
Bavarezët fituan titullin e nëntë radhazi në Bundesligë. 74 pikë numërojnë rekordmenët e futbollit gjerman, teksa kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit. Sfida të rëndësishme për Lewandowskin (39 gola në kampionat), i cili është një gol larg rekordit të Gerd Muller (40 gola sezonalë në Bundesligë). /abcnews.al